Këshilli Bashkiak Durrës do të funksionojë tani e tutje mbi bazën e rregullores së re. Mbledhja e fundit në sallën e Këshillit Bashkiak është bërë në fund të muajit shkurt, ndërsa mbledhjet e tjera janë zhvilluar me mjetet e komunikimit online për shkak të pandemisë Covid-19. Gjithsesi, kjo nuk e ka penguar Komisionin e Rregullores të hartojë dhe të paraqesë për votim rregulloren e re në mbledhjen e datës 29 prill.
Zv.kryetarja e këtij komisioni, Alneida Rroshi shpjegon ndryshimet e rregullores së re, që synon të përmirësojë punën e Këshillit Bashkiak dhe njëkohësisht të forcojë rolin mbikqyrës të këtij organi.
“Po të shohim rregulloren e miratuar në datë 29 prill, bien në sy risitë që ajo sjell dhe që kanë të bëjnë me rregullimin e marrëdhënieve me autoritetet jashtë bashkisë si pushteti qëndror, prefektura, KQZ, parti politike, agjencitë e dekoncentruara etj. Këshilli Bashkiak ka tashmë të drejtë t’i kërkojë pushtetit qendror informacion përmes një kërkese me shkrim në lidhje me problematikat e pushtetit vendor. Një risi tjetër është që deputetët e qarkut mund të ndjekin mbledhjet e Këshillit, ndërsa vlen të vihet theksi edhe tek konferenca e kryetarëve. Tashmë të gjithë kryetarët e komisioneve çdo fillim viti kërkojnë një raport mbi raportimet e institucioneve të varësisë dhe i paraqesin ato në mbledhjen e muajit shkurt. Më e rëndësishmja e rregullores së re është hartimi i planeve strategjike në lidhje me buxhetin vjetor”,- thotë Rroshi për DurrësLajm.
Për herë të parë, Këshilli Bashkiak ka kodin e tij të sjelljes. Por cilat janë risitë që ai sjell dhe në cilat raste këshilltarët mund të gjobiten apo përjashtohen?
“Kodi i sjelljes ose i parandalimit të konfliktit të interesit do të jetë një udhërrëfyes për çdo këshilltar për mbarëvajtjen e ushtrimit të funksionit të tij. Në këtë kod është parashikuar edhe një komision mbi etikën, që do të përbëhet nga 7 këshilltarë. Nëse do të regjistrohen raste të sjelljeve poblematike të këshilltarëve apo do të verifikohen konflikte interesi do të merren masa që variojnë nga gjobitja deri tek përjashtimi për një kohë të caktuar të këshilltarit”,– tha Rroshi.
Këshilli Bashkiak aktual doli nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe për herë të parë në historinë e tij është një ngjyrësh, pasi partitë opozitare refuzuan të merrnin pjesë në garën elektorale duke ia lënë të gjitha vendet PS dhe partive të saj aleate dhe vetëm një vend këshilltari i shkoi partisë Bindja Demokratike.
M.B.





