DURRËS, 11 gusht 2014 –  Dhuna në familjet durrsake shkon deri në kufijtë e absurdit, teksa djali, pasi rreh të atin, i vë flakën shtëpisë.Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrës-Krujës njofton se të dielën, më  10 gusht 2014, ora 1 pas mesit të natës iu vunë hekurat Enea Nexhipit, 25 vjeç, banues në Durrës, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim i ati, A. Nexhipi, 51 vjeç.Ky i fundit u ka shpjeguar uniformave blu se është dhunuar fizikisht në banesë nga i biri.Jo vetëm kaq, pas konfliktit, 25-vjeçari i ka vënë zjarrin banesës.Fikja e zjarrit u bë e mundur pas ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikës.

Raste të tjera

Më 8 gusht 2014, ora 10.00, u arrestua në flagrancë Urim Kaloshi, 32 vjeç, banues në Durrës, sepse rreth orës 4.00 ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes 29-vjeçare.

Gjatë fundjavës u plotësuan 8 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme: për një 28-vjeçare, banuese në Durrës, sepse bashkëshorti i saj B. S., 29 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj; një 45-vjeçare, banuese në Durrës, sepse ndaj saj ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike i biri, E .N.,  25 vjeç; një 79-vjeçar, banues në Durrës, sepse ndaj tij ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike i biri, por kërkesë-padia është plotësuar edhe për djalin N. R., i cili pretendon se është dhunuar nga i ati, M. R., 79 vjeç; një 47-vjeçare, banuese në Shkallnur, sepse ndaj saj ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike bashkëshorti, Sh. H., 50 vjeç; një 50-vjeçare, banuese në Durrës, sepse ndaj saj ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike bashkëshorti A. P., 53 vjeç; një 35-vjeçare, banuese në Durrës, sepse ndaj saj ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike i biri J. T., 36 vjeç; një 43-vjeçare, banuese në rrethin Durrës, sepse bashkëshorti Sh. Sh., 48 vjeç, ka ushtruar dhune fizike e psikologjike ndaj saj (të shtunë më 9 gusht 2014 filloi procedimi penal në gjendje të lirë për dhunuesin).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/