DURRES, 26 shkurt 2013- Janë rishfaqur për të pestën herë gjatë këtij sezoni dimëror rrëshqitjet e dherave në kodrën e Currilave, në pjesën perëndimore të qytetit të Durrësit.
Dhjetra metra kub baltë ka dalë në rrugën Durrës-Currila duke bllokuar trafikun e automjeteve në njerin krah të saj.
Më të rrezikuarat nga rrëshqitjet e dherave dhe e baltës janë banesat dhe bizneset e ngritura në krahun e kodrës, por i njejti rrezik i kanoset edhe godinave të ngritura gjatë 10 vjetëve të fundit mbi kreshtën e kodrës me lartësi deri 120 metra mbi nivelin e detit.
Rrëshqitjet në kodrën e Currilave në Durrës kanë nisur të shfaqen dukshëm pas viteve 2000, kur jo vetëm pranë rrugës, por edhe mbi kreshtën e saj filluan të ndërtoheshin godina abuzive.
Pjesa më e madhe e dherave që rrëshqasin nga kodra janë hedhur në det, ndërsa në faqen e kodrës deri tani nuk është mbjellë asnjë pemë, çka do të bllokonte përkohësisht rrëshqitjet masive.
Situata të ngjashme ka edhe në anën perëndimore të kodrave të Kallmit, në Porto Romano dhe në Spitallë, që ndodhen në veri të qytetit bregdetar, por rrëshqitjet e Currilave përbëjnë rrezik për numrin e lartë të qytetarëve që vazhdojnë të frekuentojnë lokalet e kësaj zone turistike edhe në stinën e dimrit.





