Më shumë se sa rrënqethëse, janë faktet që rrethojnë Shkollën 9-Vjeçare “Bedrie Bebeziqi” në Durrës. Në pjesën e pasme të saj, aty ku dikur qëndronin vagonët e trenave, tashmë vendi është kthyer në një gërmadhë të mbetjeve urbane, atyre të ndërtimit, dhe shiringave të narkomanëve. Pamje të tilla janë shokuese për çdo njeri që ka sy. Shkolla, në pjesën e pasme të saj, është rrethuar nga ndërtime dhe nga nga disa ish-banesa të vjetra dhe të kthyera në strehë të narkomanëve të Lagjes 4. E çfarë është akoma më e rëndë, plehrat janë depozituar në themelet e shkollës, aty ku pak centimetra i ndajnë nga fëmijët e klasave të brendshme të katit të parë dhe nga dritaret e shkollës. Era e rëndë e plehrave është një shoqëruese e rregullt në ditët e mësimit.
Ndoshta prindërit e fëmijëve të kësaj shkolle nuk e kanë parë ende se çfarë ndodh pas shkollës ku studiojnë fëmijët e tyre sepse, në të kundërt, do ta ngrinin problemin në bordin e shkollës, në Drejtorinë Arsimore Rajonale, në Bashkinë e Durrësit dhe në të gjitha institucionet përgjegjëse për një situatë të tillë.





