Rrëzohet kërkesa e këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak Durrës për të ngritur komision hetimor për procesin e rindërtimit.

Me 14 vota pro të këshilltarëve të djathtë dhe 28 kundër të së majtës, komisioni i përkohshëm nuk u bë realitet, megjithëse për ngritjen e tij kishin firmosur 1/4 e anëtarëve të këshillit.

Pavarësisht 28 votave kundër, kryetari i KB-së, Ani Dyrmishi, bazuar në rregulloren e këshillit, duhet të deklaronte ngritjen e tij, por ai u shpreh kundër.

Në cilësinë e kryetarit të grupit të Rithemelimit, Dritan Burgija dha disa nga arsyet pse e djathta kërkon ngritjen e komisionit hetimor.

“Sipas raportimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë evidentuar një sërë shkeljesh nga ana e bashkisë Durrës, që nga shembja me tritol e pallateve në kundërshtim me ligjin, deri tek mungesa e transparencës me paratë publike. 2400 familje janë sot pa shtëpi dhe prej 8 muajsh trajtohen as me bonus qiraje. Mbi 1000 objekte u deklaruan për shembje. Ndërsa një pjesë e objekteve shkollore janë ndërtuar, të tjera, përfshi edhe gjimnazet kryesore të qytetit janë në proces dhe fëmijët e zhvillojnë mësimin me dy turne”.

Pro ngritjes së komisionit të përkohshëm hetimor u shprehën dhe kryetarët e grupeve të PD-së dhe Partisë së Lirisë.

“Eshtë një e drejtë e opozitës, për të gjithë problematikat që ka ky proces, pse mos ta ushtrojë. Uroj mos gjejmë asgjë dhe të jemi gabim ne që po kërkojmë të ngrihet”,- tha Myshketa.

“Përsa kohë ju thoni gjatë të gjithë kohës, që ky është një proces i bërë me transparencë në mënyrën më perfekte të mundshme, që nga qeveria e deri te bashkia, nuk duhet të kishte kundërshtim nga ju. Përkundrazi, si nisëm e parë nga opozita ku duhet ta kishit përkrahur.”,– tha Kontiana Kuçi e Partisë së Lirisë.

I konsideruar deri më tani si histori suksesi, pavarësisht se ende nuk ka një datë se kur do të mbyllet procesi i rindërtimit në Durrës dhe 2500 familje janë pa shtëpi dhe pa bonus qiraje, disa nga këshilltarët e majtë shprehën arsyet se pse janë kundër ngritjes së komisionit.

“Një kërkesë kaq e përgjithshme tregon që nuk ka interes për qytetarët durrsakë, për mënyrën si po shkon situata e rindërtimit, që mund të ketë edhe problemet e veta. Eshtë komision politik”, u shpreh ndër të tjera kryetari i grupit socialist, Rolant Xhelilaj.

“Unë nuk mund ta konceptoj dot se si një punë voluminoze e mbi katër viteve të hetohet në 2 muaj. Unë e di se kur të mbarojnë 2 muaj do të vijnë dhe do të thonë ta shtyjmë edhe pak.”, tha këshilltarja Flutura Kasa.

“Kam qenë kundër këtij komisioni, sepse mungon ajo prova e madhe për të na vënë në lëvizje.”, theksoi këshilltarja Joniada Musaraj.

“Unë nuk e njoh grupin e foltores dhe çdo iniciativë që do dalë nga ky grup do të ketë gjithmonë votën time kundra. Unë jam në një linjë me kryeministrin Rama”, tha Hekuran Markola.

Kërkesa për ngritjen e komisionit u depozitua në këshill javë më parë dhe para votës kundër të këshilltarëve, komisioni mori votën kundër edhe në konferencën e kryetarëve.

M.B.