Këshilli Bashkiak i Durrësit futi si shtesë në rendin e ditës së mbledhjes të pasdites së sotme projektvendimin e taksës së banesës. Ky projektvendim u shty, ndërsa në mbledhjen e muajit të kaluar nuk u votua as nga këshilltarët e PD-së e as nga ata të LSI-së. Edhe këtë radhë opozita u shpreh kundër kësaj takse.
Këshilltarët e PD-së ngritën në mbledhje pyetjen se pse ka ardhur me rritje taksa e pasurisë për muajin prill në faturën e ujit të pijshëm. Administrata e bashkisë shpjegoi se jana faturuar tre muaj bashkë, prandaj dhe ka pasur një vlerë të shtuar në faturë
“Taksa e pasurisë është llogaritur 4 muaj me ligjin e vjetër e 9 muaj me ligjin e ri. Ka ulje e jo rritje. Bashkia favorizon të gjitha shtresat në nevojë”, tha drejtori i Taksave në Bashkinë Durrës.
Sipas kreut të këshilltarëve demokratë, Armand Teliti, propozimet e opozitës nuk janë reflektuar në projektvendimin e taksës së banesës.
“PD deklaron votën e saj kundër për këtë projektvendim”, tha Teliti.
Ndërkohë një këshilltare e LSI-së tha se “bashkia mund të aplikojë zbritje deri në 35%. Familjet e Durrësit do paguajnë 340 lekë m2. Më parë paguanin 90 lekë m2 për banesat e para vitit ‘93. Ndërsa banesat e tjera 300 lekë m2. Duhet diferencim. Këtë kërkuam herën e kaluar dhe nuk e keni marrë parasysh. Kemi mundësi të ulet kjo taksë, janë 65 mijë familje."
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Alban Ramohitaj u kërkoi dy grupeve të këshilltarëve të PD dhe LSI që t’i sjellin me shkrim të gjitha propozimet, që të shqyrtohen një e nga një.
Miratimi i projektvendimit për taksën e pasurisë u shty për mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak.
K.H.





