Durrës, 28 prill 2014 – Një konflikt për motive pronësie ka shkaktuar plagosjen e dy të moshuarave të fisit Smoqi në fshatin Kënetë, të komunës së Gjepalajt, Durrës, ndërkohë që policia ka nisur procedimin penal për 4 anëtarë të tjerë të fisit.

Mësohet se 75 dhe 77 vjeçaret N. Smoqi dhe H. Smoqi ndodhen përkatësisht në spitalin e Durrësit dhe atë Ushtarak, për shkak të plagëve të marra, por fatmirësisht gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Konflikti ka nisur pasditen e së shtunës, kur palët e përfshira në të kanë filluar të debatojnë për shkak të një sipërfaqe toke, pronësinë e të cilës e pretendonin të dyja palët.

Dy të rinj të fisit Smoqi përkëtësisht A. Smoqi, 24 vjeç dhe D. Smoqi, 19 vjeçe, kanë sulmuar me mjete të forta dy të moshuarat. Në mbrojtje të grave më shumë se 70 vjeçare kanë dalë dy anëtarë të tjerë të fisit, F. Smoqi, 50 vjeç dhe N. Smoqi, 47 vjeçe.

Policia e njoftuar nga fqinjët ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Dy të rinjtë e fisit janë shoqëruar për në komisariat dhe ndaj tyre është ngritur akuza “Plagosje e lehtë me dashje”. Ndërkohë dy anëtarët e tjerë po ndiqen në gjendje të lirë me akuzën “Dëmtime të tjera me dashje”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/