Durrës, 6 maj 2014– Një rrip i gjetur pranë kufomës, që doli mëngjesin e së dielës pranë portit të ri të peshkimit në Durrës, shihet nga policia e qytetit bregdetar, si një nga të vetmet mundësi për të identifikuar trupin.

Kur kanë kaluar më shumë se 48 orë nga gjetja e kufomës tejet të dekompozuar, policia ende nuk ka bërë asnjë hap para në identifikimin e saj. Shkak për këtë është bërë fakti se kufoma ka qëndruar për një kohë shumë të gjatë në ujë, ndërkohë që përveçse rripit ajo nuk kishte asgjë tjetër që mund t’u jepte mundësi familjarëve të personave të zhdukur për ta identifikuar atë.

Mendohet se kufoma që qëndron prej mëse 2 ditësh në morgun e spitalit është e seksit mashkull, pasi edhe rripi i gjetur në trup përdoret nga meshkujt. Për të bërë më të lehtë dhe të shpejtë identifikimin e kufomës, policia e Durrësit ka shpërndarë foto të rripit në të gjithë komisariatet e vendit.

Sipas disa burimeve, kufoma e dekompozuar mund t’i përkasë një prej marinarëve turq, të mbytur pak milje larg portit të Durrësit, më shumë se dy vite më parë.  

Në tetor të 2011, një nga tragetet e linjës Durrës – Bari, u përplas me anijen tregtare me flamur turk “Reina 1”, në të cilën ndodheshin 10 pjesëtarë të ekuipazhit. Për shkak të përplasjes, 8 marinarë turq humbën jetën dhe vetëm dy prej tyre arritën të shpëtonin.

Gjithsesi dyshimi se kufoma e dekompozuar mund t’i përkasë një prej marinarëve turq të humbur në det, tani për tani mbetet ende një hipotezë.

Policia e Durrësit sqaron se do t’i dërgojë informacione Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të marrë kontakte me homologët turq. Një analizë AND-je e kufomës mund të konfirmonte ose jo nëse ajo i përket ndonjërit prej marinarëve turq, të mbytur në detin Adriatik.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/