Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një ndër qendrat muzeale më të vizituara në qytet, kryesisht nga turistët e huaj. Këta të fundit kanë filluar të shfaqin një interes gjithnjë e më të madh për muzetë dhe qendrat e tjera të trashëgimisë sonë kulturore-historike.

Këtë e tregojnë statistikat zyrtare, ku vetëm përgjatë tetë muajve të parë të këti viti, Muzeu Arkeologjik dhe Amfiteatri është vizituar nga më shumë se 20 mijë persona, ku 12 mijë prej tyre kanë bërë ndalesë vetëm pranë Muzeut Arkeologjik.

“Statistikat tregojnë ndër të tjera se ka një rritje prej 63% përgjatë këtij sezoni, ndërsa të ardhurat totale janë rritur me plot 72% në krahasim me vitin e kaluar”, tha arkeologia Eda Çekrezi.

Vëmendjes dhe kuriozitetit të turistëve që vijnë në Durrës nuk mund t’i shpëtojnë edhe objektet e tjera të vizitueshme, siç janë muri rrethues i qytetit, Torra Veneciane, Rotonda, banjat termale, pusi i Top Hanes, etj. Të gjitha këto monumente ndodhen shumë pranë njëri-tjetrit, prandaj janë një destinacion i lehtë për t’u vizituar dhe përfaqësojnë një atraksion të veçantë për turizmin kulturor në qytetin e Durrësit.

K.H.