Prej rreth dy vitesh punon si guidë turistike në qytetin e Durrësit, por jo vetëm. Studenti i vitit të dytë në degën “Guidë turistike” në UAMD, Ermest Sollaku ka krijuar tashmë një eksperiencë në këtë fushë dhe është në pritje të pajisjes me licencë, por puna me të huajt që vizitojnë vendin tonë ka vështirësitë e veta.
“Turistët kanë kërkesa nga më të ndryshmet dhe një guidë e mirë duhet të jetë goxha e përgatitur të krijojë kushtet perfekte për një turist. Ata janë të interesuar më shumë për vitet e regjimit komunist, si ka qenë ajo periudhë, eksperiencat personale, familjare, si ka qenë jetesa e përditshme etj”,– tha studenti Sollaku.
Rritja e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë ka bërë që kërkesa për guida turistike të rritet ndjeshëm.
“Qyteti i Durrësit ka një nevojë imediate për të pasur profesionistë të rinj në lidhje me udhërrëfyesit e rinj apo me guidat kulturore siç njihen ndryshe”,- thotë pedagogia e Departamentit të Turizmit pranë UAMD-së, Dorina Xheraj.
Në takimin e zhvilluar paraditen e sotme në sallën e Këshillit Bashkiak mes përfaqësuesve të Drejtorisë së Turizmit dhe studentëve të UAMD-së që ndjekin degën “Guidë Turistike” theksi u vu tek prezantimi i guidave të reja një, dy apo tre ditore, të cilat do t’u ofrojnë të huajve një panoramë të të gjithë potencialit historik, natyror, kulinarisë, turizmit të aventurës etj, që qyteti 3000-vjeçar ofron.
“Ne i kemi thirrur këto studentë, të cilat kanë rreth 15 javë praktikë dhe në bashk#punim me Drejtorinë e Turizmit ata do të testojnë guidat turistike që u janë vënë në dispozicion nga ana jonë dhe nëpërmjet këtij testimi do të shikojmë mundësinë për të hartuar minipaketat e reja të diversifikuara: Durrësi në një ditë, dy ditë apo tre ditë”,– deklaroi përfaqësuesja e Drejtorisë së Turizmit në bashkinë Durrës, Floreta Kërtusha.
Në prag të këtij sezoni të ri veror, bashkia Durrës vjen me aplikacionin dhe webpage-n e dedikuar turizmit www.visitdurres.al, ku jepet një informacion mjaft i detajuar, shoqëruar me video dhe foto mbi atë çfarë ofron kryeqyteti shqiptar i turizmit. Kthimi i Durrësit në një destinacion gjithë vjetor, do u krijonte mundësi personave që shërbejnë si guida turistike të kenë një punë stabël.
Vitin e kaluar, Durrësin e vizituan 1.5 milionë turistë, ndërsa këtë vit pritshmëritë janë edhe më të larta.
M.B.