Spitali i Durrësit ka mbyllur fushatën për depistimin e kancerit të gjirit nga gratë, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në klinikën e kujdesit Paliativ, e hapur tre vjet më parë.

Viola Cikalleshi, drejtore e komanduar e spitalit të Durrësit së bashku me mjekë të këtij spitali kanë dhënë mesazhin se ekzaminimi i hershëm dhe zbulimi në kohë i kancerit shpëton jetët njerëzore.

Rreth 250 raste të reja me kancer janë diagnostikuar çdo vit në Durrës, me rritje deri në 25% më shumë se në vitet e shkuar. Reparti i kemioterapisë u hap në vitin 2013 si një domosdoshmëri për numrin e lartë të të prekurve me kancer që kërkonin të merrnin shërbimin e duhur. Hapja e këtij reparti ka ardhur si domosdoshmëri për disa arsye.

Rritja drastike e numrit të personave të diagnostifikuar me kancer, dhe ecejaket e tyre për të kryer kimioterapinë e më pas kujdesin paliativ, në Tiranë. Duke iu referuar statistikave, vetëm në vitin 2013 janë diagnostikuar 234 raste të reja me kancer ose 25% rritje krahasimisht me 2012. Rreth 70% e pacientëve kanë nevojë për kimioterapi.

Sëmundjet tumoriale po shkaktojnë vdekshmëri të lartë në vend. Kemi vdekshmërinë më të madhe në rajon për shkak se këto sëmundje të rënda diagnostikohen në fazën e fundit, ndërsa në vendet e rajonit diagnostikohen në fazat e para, dhe pacientët kanë shumë e shumë vite jetë përpara pohojnë mjekët.

Aktualisht në spitalin e Durrësit, në funksion është edhe reparti i kujdesit paliativ ku të sëmurët me kancer në stadin e fundit të jetës  marrin shërbimin mjekësor nga një ekpi i kualifikuar mjekësh. Rreth 4 mijë persona të të gjitha moshave, kanë ndërruar jetë prej sëmundjeve malinje, në Durrës gjatë 20 viteve të fundit.

K.H.