·        Mbi 700 mjete peshkimi operojnë në hapësirat ujore; ndërkohë që heqja e moratoriumit do të ketë tendencë shtimin e numrit të këtyre mjeteve

·        Problematika e shumtë: peshkimi i paligjshëm në zonat e ndaluara, zonat e mbrojtura, thellësitë; peshkimi me lëndë plasëse; regjistrimi e identifikimi i mjeteve të peshkimit; emri në bord; flamuri; rajoni i peshkimit; koha; itinerari; raportimi i hyrjes dhe daljes nga zona me regjim peshkimi të kufizuar nëpërmjet sistemit operacional në çdo 30 minuta; shpejtësia; sasia e mallit e mbajtur në bord; raportimi në dalje; zona gjeografike përkatëse e gjuetisë; emri i portit të mbërritjes; arsyet e ndalimit; detyrimet e anijeve me flamur të huaj; sanksionet në rastet e shkeljes së ligjit, etj.

 

Nga Shefqet Kërcelli

DURRËS, 6 mars 2014 – Më 5 mars 2014 në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) në Plepa u zhvillua një takim pune për rritjen e sigurisë në det dhe përmirësimin e kuadrit ligjor nga mjetet e peshkimit.

Fillimisht drejtori administrativ i QNOD-it Maksim Malaj theksoi rëndësinë e rritjes së sigurisë në det për mjetet e peshkimit, përmirësimin e kuadrit ligjor për këtë çështje dhe në këtë kuadër forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, ku secili ka detyrat e përgjegjësitë e veta.

Qëllimi i këtij takimi është gjetja e mënyrave efikase për zbatimin e ligjit Nr. 29/2013, si dhe VKM-të e miratuara në zbatim të këtij ligji. Me rritjen e kapaciteteve operacionale të QNOD për monitorimin e situatës detare është emergjente evidentimi i nevojave kryesore për zbatimin e ligjit, standardizimit të procedurës për dhënien dhe marrjen e informacioneve dhe ndarjen e përgjegjësive midis strukturave përkatëse për mbarëvajtjen e këtij procesi me rëndësi ekonomike për vendin.

Nëpërmjet personelit të shërbimit dhe sistemeve SIHVD e BlueBox, QNOD-i monitoron aktivitetin e peshkimit, i cili aktualisht ka një problematikë të shumtë: peshkimi i paligjshëm në zonat e ndaluara, zonat e mbrojtura, thellësitë; peshkimi me lëndë plasëse; regjistrimi e identifikimi i mjeteve të peshkimit; emri në bord; flamuri; rajoni i peshkimit; koha; itinerari; raportimi i hyrjes dhe daljes nga zona me regjim peshkimi të kufizuar nëpërmjet sistemit operacional në çdo 30 minuta; shpejtësia; sasia e mallit e mbajtur në bord; raportimi në dalje; zona gjeografike përkatëse e gjuetisë; emri i portit të mbërritjes; arsyet e ndalimit; detyrimet e anijeve me flamur të huaj; sanksionet në rastet e shkeljes së ligjit, etj

Aktualisht personeli përkatës në QNOD e ka të vështirë të ndjekë numrin e madh të mjeteve që dalin për peshkim, ndaj është e nevojshme gjetja e formave dhe mënyrave të reja, nënvizoi Malaj.

Arjan Demiraj, drejtor i Shërbimeve Peshkore dhe Akuakulturës në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, vlerësoi takimin e organizuar, ku interesi për monitorimin e flotiljes së peshkimit dhe vënien e këtij procesi me rëndësi ekonomike në vend mbi baza ligjore është i përbashkët.

Ne jemi duke rishikuar legjislacionin përkatës, veçmas pjesën e inspektoratit e masave ndëshkimore, ndaj na sillni mendimet e sugjerimet tuaja për këtë, tha Demiraj.

Jemi duke krijuar database për të gjitha anijet e mjetet e peshkimit, sipas përmasave, tonazhit, llojin e peshkimit, theksoi specialisti i ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Aleksandër Klimi, dhe këto informacione brenda muajit mars do t’u jepen institucioneve përgjegjëse dhe QNOD-it.

Është i nevojshëm informimi i ndërsjellë, pikat e bashkëpunimit, trajnimi i personelit dhe zbatimi i rregullave nga të gjithë palët theksuan përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë.

Gjatë takimit u tha se ka me dhjetëra shkelje nga mjete e peshkimit, por nuk ka asnjë masë dhe sanksion.

Do të shtohen masat e sanksionet për mjetet që gjuajnë me dinamit apo bëjnë kontrabandë.

Anijet e Rojës Bregdetare, Policisë Kufitare apo Antikontrabandës janë të gatshme në çdo kohë për t’i ndihmuar në rast rreziku mjetet peshkatore, qoftë edhe kur shkelet ligji.

Por çdo dalje e tyre ka një kosto, dhe kjo kosto do të mbulohet nga shkelësit e ligjit.

Sistemi BlueBox dhe kontrolli i ushtruar nga Policia Kufitare vitin e kaluar ka evidentuar probleme të ndryshme të dokumentacionit, gatishmërisë teknike, identitetit të këtyre anijeve, pronarëve, ndaj duhet një verifikim total i tyre, theksuan pjesëmarrësit në takim.

Janë mbi 700 mjete peshkimi që operojnë në hapësirat ujore shqiptare.

Ndërkohë që heqja e moratoriumit do të ketë tendencë shtimin e numrit të këtyre mjeteve.

Për realizimin me sukses të kësaj detyre do bashkëpunohet ngushtësisht që nga drejtoria përkatëse në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Administrata Detare; QNOD-i, Forca Detare, Policia Kufitare dhe Regjistri Detar.

Palët janë të detyruara të bashkëpunojnë dhe informojnë njëra tjetrën.

Në takim u la detyrë që së afërmi të organizohet një takim në nivel ekspertësh ku të diskutohen e vendosen problemet që kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë lundrimore dhe zbatimit të ligjit nga mjetet tona të peshkimit.

Dhe për këtë shteti shqiptar i ka mundësitë dhe institucionet përkatëse.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/