Durrës, 2 shtator 2014 – Reshjet e dendura të shiut të regjistruara mbrëmjen e djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm na kujtuan se tashmë me shumë mundësi duhet t’i japim lamtumirën verës dhe të themi: Mirë se erdhe vjeshtë.
Shiu prishi planet e shumë prej atyre që kishin zgjedhur ditët e para të muajit shtator për të bërë pushimet.
E ndërsa toka e etur për shi i mirëpriti reshjet e para, moti i keq ka shkaktuar jo pak dëme për një pronar lokali në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Rrufetë e shumta që shoqëruan motin me shtrëngata kanë shkaktuar zjarr në një kontenier të një lokali në zonën turistike.
Brenda tij ndodheshin rreth 2000 shishe Uiski dhe pije të tjera alkoolike, që fatkeqësisht janë shkatërruar tërësisht.
Dëmi ekonomik i shkaktuar pronarit të lokali është goxha i madh, po të kemi parasysh faktin se sezoni turistik sapo u mbyll dhe nuk ka më kohë për të rikuperuar dëmin e shkaktuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





