Është një situatë që është përsëritur thuajse çdo natë, përgjatë kësaj jave.
Makina turistësh që vijnë të vizitojnë qendrën e Durrësit dhe sitet arkeologjike në orët e vona dhe përfundojnë tek shkallët, që rrethojnë amfiteatrin në rrugën “Sotir Noka”.


Fotot e dërguara nga banorët e zonës dëshmojnë situatën kritike në të cilën gjenden shumë makina turistësh, që duke ndjekur itinerarin, që rekomandon GPS i makinës rrezikojnë të përfundojnë brenda në amfiteatër, apo në avllitë e shtëpive rreth e qark.
Pavarësisht se banorët e zonës kanë vendosur vetë dy tabela sinjalizuese përgjatë rrugës, rreziku nuk është shmangur.


Dëmtimet që kanë pësuar shkallët e mermerit janë dëshmi e tentativave të drejtuesve të mjeteve për të shmangur një aksident më të rëndë.
Madje disa netë më parë, një automjet tip Range Rover ka arritur të ecë përgjatë shkallëve për të dalë në trotuarin përballë bashkisë së Durrësit, rrëfejnë banorët e zonës!

Në një kohë, kur qyteti bregdetar po kthehet në një destinacion mjaft të vizitueshëm në të gjitha stinët e vitit, autoritetet duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme përsa i përket sinjalistikës rrugore vertikale dhe horizontale, sidomos pranë siteve historike.
Regjistrimi i një aksidenti tragjik pranë monumentit më të vizituar të qytetit do të ishte një reklamë negative për Durrësin, që turizmin ka nisur ta shohë si motorin zhvillues të ekonomisë.
M.B.





