Durrës, 23 prill 2014 – 262 shkelje të Kodit Rrugor janë konstatuar nga efektivët e policisë së qarkullimit së Durrësit në harkun e 24 orëve të fundit.

Në një kontroll të gjerë të ndërmarrë në segmente të ndryshme të qytetit, nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e përgjithshme të Policisë, janë vënë re dhe ndëshkuar një sërë shkeljesh në timon.

Respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor mbetet ende “thembra e Akilit” për shumë drejtues automjetesh, dhe në shumicën e rasteve këto shkelje bëhen shkak për aksidente rrugore.

262 drejtues automjetesh janë gjobitur gjatë ditës së djeshme për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Krahas masës administrative, gjobë, efektivët e qarkullimit për rastet më të rënda kanë ndëshkuar sipas ligjit shkelësit e Kodit Rrugor.

Kështu, në 15 raste drejtuesve të mjeteve motorike u është pezulluar leja e drejtimit, ndërsa në 3 raste të tjera është bllokuar mjeti.

Forcimi i neneve të Kodit Rrugor ka bërë që thuajse çdo ditë, efektivët e qarkullimit të arrestojnë në flagrancë drejtues automjetesh apo motorçikletash që qarkullojnë pa leje drejtimi apo udhëtojnë në gjendje të dehur.

Në këto raste shkeljesh ligji parashikon 10 ditë burg.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/