DURRËS, 16 maj 2014 – Në bashkinë e Durrës-1, në regjistrin e hipotekës me kod 8511 për vitin 2013 figurojnë gjithsej 1 994 pronarë, ku 22, 42 për qind e tyre (447) ishin femra me 100 për qind pronësi, u tha në Durrës në maj 2014 në një raport të FAO-s (Organizata Botërore e Ushqimit e OKB-së).
Problemi i barazisë gjinore në trashëgiminë apo krijimin e pronës së re është problem si në Durrës ashtu dhe në krejt territorin e vendit.
Sipas këtij raporti, shumica e pronarëve femra në Shqipëri zotërojnë një pronë në një pjesëmarrje prej më pak se 25%, dhe në vend të dytë është pjesa e 50-99%.
Raporti arrin në përfundimin se numri i burrave që kanë hipoteka është më se dy herë më i lartë në krahasim me përqindjen e grave, ose duke numëruar tre vitet e fundit mesatarisht meshkujt marrin 2/3 e hipotekave të totalit dhe gratë 1/3.
Numri i grave që trashëguan pronë bëhet më i lartë nga viti në vit. Në vitin 2011 është 38,71%, në vitin 2012 është 45,11% dhe në vitin 2013 ajo është pothuajse e njëjtë me përqindjen e burrave që trashëguan pronë.
Natyrisht kjo është më e theksuar në zonën rurale. Kështu në një rast në fshatin Vlashaj (komuna e Maminasit) me 255 pronarë gjithsej, vetëm 30 ishin femra me pronësi 100 për qind; në Draç (komuna e Ishmit) kishte vetëm 4 gra me 100 për qind pronësi; në fshatin Likmetaj (komuna e Ishmit) kishte vetëm 2 raste; kurse nga 1 femër pronare kishte në bashkinë Sukth, fshatrat e tij Hamallaj dhe Vadardhë; Qerret (Katundi i Ri) dhe Shkallnur (komuna Rrashbull).
Me ndarje pasurie mbi 50 për qind në Vlashaj ishin 1 574 pronarë gjithsej, ku vetëm 78 (9, 68 për qind e totalit) ishin femra; në bashkinë Durrës në një dosje me 3 770 pronarë, kishte 1 697 pronare gra, ose 45 për qind e totalit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





