DURRËS, 19 maj 2014 – Roni Shqopa dhe Silvanë Maksuti, dy zyrtarë durrsakë në varësi të institucioneve shtetërore qendrore, janë gjobitur me nga 50 mijë lekë secili për mosplotësimin e formularit të deklarimit të pasurive.
Madje, nëse nuk “vënë mend”, në bazë të ligjit, ndiqen penalisht.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKP) njoftoi më 19 maj 2014 se, pas përfundimit të procesit të administrimit të deklaratave të interesave privatë, pas regjistrimit të tyre, si dhe pas verifikimeve në institucionet përkatëse ku këto subjekte ushtrojnë funksionet e tyre publike, u konstatuan 17 zyrtarë të niveleve të ndryshme, të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave privatë “para fillimit në detyrë” dhe “periodike / vjetore” për vitin 2014.
Mes 17-shes figurojnë dhe dy funksionarë durrsakë: drejtori i shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme në Plepa Roni Shqopa dhe kryeinspektorja në Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore Durrës Silvanë Maksuti, të cilët u gjobitën me nga 50 mijë lekë (shih faksimilen e listës së publikuar nga ILDKP-ja).
Inspektori i Përgjithshëm, përmes vendimeve të posaçme, vendosi masën administrative “gjobë” për subjektet deklaruese, që rezultuan të mos kenë dorëzuar deklaratën e interesave private.
Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj secilit subjekt, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi, si dhe institucionin epror.
Në zbatim të politikave korrekte institucionale, Inspektorati i Lartë u bën me dije subjekteve deklarues, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, pas marrjes së masës administrative, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal. Në çdo rast, Inspektorati i Lartë do të vijojë me ndjekjen e çdo rasti për të cilin u aplikua masa administrative gjobë, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë organit të akuzës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





