DURRËS, 11 mars 2014 – Qyteti-port nr. 2 i Shqipërisë së shpejti do të bëhet dhe me një “vëlla” kinez. Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur, më 11 mars 2014, një delegacion kinez të kryesuar nga sekretari i dytë i Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Tiranë Zeng Weihong, njoftoi zyra e shtypit. Në delegacion merrnin pjesë edhe këshilltari ekonomik i ambasadës kineze He Binghua, nëndrejtori i dhomës së tregtisë të qytetit Ningbo, Yu Haidong etj. U fol për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe binjakëzimit midis qytetit kinez Ningbo dhe qytetit të Durrësit. Kryebashkiaku Dako u shpreh pro binjakëzimit. Po kështu delegacioni kinez e ka ftuar kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako të marrë pjesë në forumin e kryetarëve të bashkisë së qytetit Ningbo dhe bashkive të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore që do të zhvillohet në qershor në qytetin Ningbo të Kinës. Ftesa është pranuar nga qytetari nr. 1 i Durrësit. Zyrtarët kinezë shfaqën një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çka ofron ky qytet për sa i përket veçanërisht sektorit ekonomik dhe atij të turizmit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka bërë delegacionit kinez një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Nga ana e tij bashkëbiseduesi Weihong ka falënderuar për pritjen. Në fund u bënë shkëmbim dhuratash artizanale.
Info
Qyteti Ningbo ka portin e pestë më të madh në botë. Ningbo ka bërë binjakëzime me shumë qytete evropiane si Firence dhe Verona të Italisë, Rouen në Francë, Aachen në Gjermani, Rijeka në Kroaci etj. Ningbo-ja është qytet-port në verilindje të provincës Zhejiang. Ka status nën-krahinor administrativ dhe status të veçantë në planifikimin shtetëror, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2010, bashkia ka një popullsi 7.605.700 banorë, prej të cilëve 3.491.000 ë në zonën urbane, e cila përfshin 6 rrethe. Shtrihet në jug të gjirit Hangzhou, përballë detit të Kinës Lindore në lindje. Ningbo kufizohet me Shaoxing-in në perëndim dhe Taizhou-n në jug, dhe ndahet nga Zhoushan-i nga një masë e ngushtë ujore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





