DURRES – Sekuestrohet sërish drogë në portin e Durrësit. Këtë herë në prangat e policisë ka rënë një i moshuar, 69 vjeçari, Kolë Batri, nga Shkodra. 69 vjeçari u arrestua mëngjesin e sotëm, pasi në automjetin e tij tip Volskwagen Passat policia gjeti të fshehur në pjesën e sipërme të makinës rreth 23 kg kanabis sativa. Lënda narkotike ishte e ndarë në 29 pako me përmasa të ndryshme.
Në cilësinë e provës materiale policia e Durrësit sekuestroi automjetin me targa AA918FR me të cilën 69 vjeçari Batri do të udhëtonte drejt Italisë.
I moshuari priste të imbarkohej mbrëmjen e djeshme në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, por tashmë i duhet të vuajë dënimin për akuzën “trafikim lëndësh narkotike”. Policia po heton për të zbuluar personat që i kanë siguruar sasinë e drogës 69 vjeçarit nga Shkodra.





