DURRËS, 30 maj 2013 – Ditën e djeshme ka filluar procedimi penal në mungesë ndaj shtetasve, Renata Kebej, 38 vjeçe, banuese në Durrës dhe Artur Selmani, 33 vjeç, banues në fshatin Rrashbull Durrës.

Sipas policisë së Durrësit më datë  29.05.2013, rreth orës 02.00, në segmentin rrugor Shkafanë – Gjiri Lalëzit, nga efektivat e Komisariatit të Policisë Shijak gjatë patrullimit për kontrollin e territorit përgjatë natës, është konstatuar automjeti furgon Toyota  me targa angleze X613ELA,  të cilit shërbimet e Policisë i kanë dhënë shenjë për të ndaluar por që drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhërit të shërbimeve.

Në afersi të Gjirit të Lalëzit ky automjet është gjetur i braktisur, duke u djegur.

Pas fikjes së zjarrit filloi kryerja e veprimeve të para hetimore gjatë së cilave, në pjesën e pasme të mjetit u gjetën qese plastmasi dhe një çantë sporti, brenda së cilave pako me përmbajtje bime të thatë të ngjashme për nga karakteristikat me atë të Kanabis Sativës.

Pas peshimit rezultoi totali i  372 kg e 26 gramëve lëndë narkotike (krahas pjesës së djegur).

Lidhur me rastin në fjalë u punua nga ana e policisë dhe po vijohet në drejtim të kapjes dhe procedimit të dy shtetasve të identifikuar paraprakisht si posedues të lëndës narkotike. Ndërkohë që po hetohet edhe origjina dhe destinacioni i lëndës narkotike si dhe përfshirja e personave të tjerë në këtë veprimtari.

Mbi dy shtetasit rëndon akuza e kryerjes së veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”.