Durrës, 16 maj 2014 – Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, nga porti i Durrësit ka deklaruar se doganat shqiptare nuk shiten dhe blihen me para siç ka ndodhur në të kaluarën. E pranishme gjatë sekuestrimit të 48 tonëve cigare kontrabandë, që iu bllokuan anijes tregtare “Era 1” Spiropali tha:
“Ne po presim të gjitha fijet e kontrabandës të organizuara në të kaluarën”
Sipas saj, vlera totale e mallit kontrabandë që ndodhej në anijen tregtare me flamur të Tanzanisë arrin në 10 milionë euro. Pavarësisht se përmes dokumenteve destinacioni ishte Mali i Zi, Spiropali tha se cigaret kontrabandë do të tregtoheshin në Shqipëri, dhe se dokumentet e tyre kanë qenë të falsifikuara.
Edhe për kryeministrin Rama, kapja e 48 tonëve cigare kontrabandë, tregon që Dogana nuk blihet dot me para si vjet. Këtë qëndrim kreu i qeverisë e ka shprehur përmes rrjetit social Tëitter ku ndër të tjera shkuan:
Kush ka veshë dëgjon kush ka sy shikon kush ka tru kupton: Kur kapen 48 ton cigare kontrabandë dmth që dogana nuk blihet dot me para si vjet”!
Anija tregtare me flamur të Tanzanisë u ndalua nga Anti-Kontrabanda në Portin e Vlorës mbrëmjen e djeshme. Anija ishte nisur nga Greqia dhe sipas dokumenteve, destinacion ishte Mali i Zi. Anija ndodhej prej dy ditësh në Portin e Vlorës, pasi kishte kërkuar ankorim për shkak të kushteve të këqija të motit. Por me përmirësimin e saj, anija me flamurin e Tanzanisë ka tentuar të largohet nga porti i Vlorës pa iu nënshtruar lejes përkatëse, sipas procedurës për të lundruar në ujërat shqiptare. Në orët e mbrëmjes së të premtes anija u ankorua në portin e Durrësit ku iu nënshtrua kontrollit.
Ndërkohë pas bllokimit të anijes në portin e Durrësit dhe sekuestrimit të sasisë prej 48 tonë cigare kontrabandë ka reaguar edhe avokati i firmës së cigareve, Idlir Tivari.
Tivari është shprehur se malli i sekuestruar nga autoritetet shqiptare nuk është me dokumente false. Sipas tij, dokumentet i ka agjenti në doganën e Malit të Zi, pasi anija është transit dhe ai është në pritje të mbërritjes së tyre për të vërtetuar faktin se malli nuk është kontrabandë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





