DURRES – Sekuestrohet 30 kg drogë në portin e Durrësit, prangoset trafikanti. Një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit marijuanë është sekuestruar mbrëmjen e sotme nga policia kufitare dhe sektori i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës.

Lënde narkotike është gjetur në automjetin tip Benz me targa AA260FR në pronësi të një shtetasi nga Vlora, i cili po priste të imbarkohej në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari. Policia e Durrësit bën të ditur se droga është zbuluar në serbatorin e automjetit të shtetasit 42 vjeçarit Arben Metaj. Policia dyshon se sasia e drogës së zbuluar mbrëmjen e së martës vinte nga Lazarati dhe kishte si destinacion final vendin fqinjë. 

Policia ka sekuestruar automjetin dhe lëndën narkotike në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që ka arrestuar Arben Metajn për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.  

Ky është i disati rast që sekuestrohet lëndë narkotike në portin e Durrësit, pasi dhe dy ditë më parë u zbuluan dy raste të tjera, kur shtetas të ndryshëm tentuan të trafikonin lëndë narkotike në vendin fqinjë, Itali.