DURRËS, 11 korrik 2013 – Në zbatim të planit të bashkëpunimit midis Drejtorisë së Administratës Detare dhe Agjencisë së Sigurisë Detare në Evropë (EMSA), në ambientet kësaj administrate ka përfunduar seminari treditor me temë “Familjarizimi me amendamentet shtesë të vitit 2010 për konventën STCW (Standards of Training, Certification and Watchkeeping for Seafarers – standardet e kualifikimit, atestimit dhe të shërbimit për detarët) dhe kodet e saj”, njoftoi Drejtoria e Administratës Detare.

Në këtë seminar morën pjesë punonjës të Administratës Detare Shqiptare, kapitenë të porteve Durrës, Vlorë, Sarandë e Shëngjin, përfaqësues të kompanive të menaxhimit të anijeve, grupeve të interesit, etj.

Qëllimi i këtij seminari është familjarizimi me amendamentet e vitit 2010 të STCW, ose ndryshe amendamentet e Manilës dhe fillimi i punës për implemetimin e tyre në vendin tonë.

Lektorë të këtij seminari ishin Andrzej Batycki (polak) dhe Mirçea-Tinel Udrea (rumun), oficerë të EMSA, për projektet e trajnimeve dhe inspektimeve të Sigurisë Detare në këtë organizatë evropiane me qendër në Lisbonë.

Për tre ditë rresht pjesëmarrësit u njohën me dokumentet dhe kërkesat e reja për certifikimin e detarëve.

Shteti shqiptar në vite ka aderuar dhe nënshkruar shumicën e konventave, marrëveshjeve dhe legjislacionit detar ndërkombëtar, ndaj njohja e specialistëve tanë detarë me këto amendime është pjesë e këtij procesi.

Sipas drejtuesve të Administratës sonë Detare implemetimi i amendimeve të Manilës të vitit 2010, parashikohet që të përfundojë në vitin 2017.

Zhvillimi i këtij seminari është një tregues tjetër i punës që po bën Administrata Detare për konkretizimin e mjaft kërkesave të Organizatës Ndërkombëtare të Detit (IMO), për ta futur vendin në listën e bardhë, nga ajo gri ku është aktualisht.

Info/

Aderimi

Më 20 janar 2000 parlamenti shqiptar miratoi ligjin nr. 8569, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare “Për standardet e kualifikimit, atestimit dhe të shërbimit për detarët, të vitit 1995” ose Konventa STCW 78/95.

Për zbatimin e kësaj Konvente të gjitha vendet anëtare kishin në dispozicion një afat kohor 5-vjeçar. Por për fat të keq, për shkak të zvarritjeve, ky afat u shkel.

Zbatimi i këtij detyrimi ligjor ndërkombëtar kërkonte gjithashtu krijimin e Administratës Detare Shqiptare, e cila nëpërmjet strukturave të saj do të mundësonte plotësimin e kërkesave të Konventës STCW e më pas të aplikonte për vendosjen e vendit tonë në listën e bardhë, si tregues i zbatimit të plotë të këtij standardi të Organizatës Ndërkombëtare Detare.

Pas 9 vjetësh, më 2 prill 2009 miratohet ligji nr. 10109 “Për Administratën Detare të Republikës së Shqipërisë”.

Kjo ka në përbërje të saj dhe Regjistrin e Detarëve, si struktura përgjegjëse për zbatimin e Konventës STCW dhe krijimin e procedurave të regjistrimit, formimit dhe punësimit sipas standardit të imponuar nga kjo Konventë.

Dhe në kohë rekord, me gjithë mangësitë e ndryshme, në më pak se dy vjet nga krijimi i saj, Administrata Detare arriti të plotësonte të gjitha kërkesat dhe detyrimet e Konventës STCW.

Përfitimet

Klasifikimi në këtë listë ndikon në rritjen e numrit të detarëve, të cilët në kushtet dhe standardet e sotme kanë rroga mjaft të mira krahasuar me standardet e tokës, u jep mundësinë agjencive të rekrutojnë punonjës, të lidhen me firma evropiane dhe t’u ofrojnë specialistë në të gjitha specifikat e detit që nga kapitenë, inxhinierë,saldatorë, elektricistë, mekanikë e deri te stjuardesa, kamerierë apo parukierë në anijet e komoditeteve dhe standardeve evropiane.

Ky hap do t’i paraprijë dhe rritjes së standardit të Flamurit detar shqiptar, i cili në saje të reformave të Administratës Detare, po rrit shkallët e sigurisë dhe në një të ardhme të afërt pretendohet që dhe Flamuri shqiptar të ketë të njëjtin fat dhe të shoqërojë Listën e Bardhë.

Kalimi i Flamurit shqiptar në listë të bardhë, deklaron titullari dhe eksperti i njohur ndërkombëtar Gazmend Tahiri, do t’i paraprinte interesimit të organizmave të rëndësishëm financiarë për të investuar dhe subvencionuar në biznesin detar, në ndërtim kantieresh dhe infrastrukturë detare, pasi një Flamur me standarde larta përbën një hipotekë të mirë për investime të tilla.

Nga Konventa STCW 78/95

Rregulla I / 2 Certifikatat dhe Vërtetimet

1.       Certifikatat do të jenë në gjuhën ose gjuhët zyrtare të vendeve lëshuese. Në rast se gjuha e përdorur nuk është anglisht, teksti duhet të përfshijë edhe përkthimin në këtë gjuhë.

2.       Në lidhje me radistët, Palët mund:

          2.1. Të përfshijnë njohuri shtesë të kërkuara nga rregullat më kryesore në provimet, për lëshimin e certifikatave në përputhje me rregullat e radios; ose

          2.2. Të lëshojë një certifikatë te veçantë ku të theksohet se mbajtësi ka njohuri plotësuese që kërkohen nga rregullat më kryesore.

3.       Vërtetimi i kërkuar nga neni VI i Konventës që vërteton të dhënat e certifikatës duhet të lëshohet vetëm nëse janë plotësuar gjithë kërkesat e Konventës.

4.       Sipas dëshirës së Palëve, vërtetimet mund të përfshihen në formatin e certifikatave që lëshohen sipas dispozitave të seksionit A – I/2 të Kodit STCW. Nëse po, forma duhet të jetë në përputhje me paragrafin 1 të seksionit A – I/2. Nëse vërtetimi lëshohet në një mënyrë tjetër, ai duhet të lëshohet sipas paragrafit 2 të po këtij seksioni.

5.       Administrata që njeh një certifikatë sipas rregullit I/ 10 duhet të vërtetojë këtë certifikatë për të bërë të vlefshmërinë e sajë. Vërtetimi duhet të lëshohet vetëm nëse janë përmbushur të gjithë kërkesat e Konventës. Forma e vërtetimit të përdorur vendoset në paragrafin 3 të seksionit A – I/2 të Kodit STCW.

6.       Vërtetimet e lëshuara në paragrafët 3, 4 dhe 5:

6.1.    mund të lëshohen si dokument i veçantë

6.2.    duhet të lëshohet si kopje e vetme, me përjashtim të rasteve kur vërtetimet që provojnë lëshimin e  certifikatës mund të lëshohen me të njëjtin numër si të certifikatës, duke siguruar që ky numër është i vetmi; dhe

6.3.    duhet t'i mbarojë afati atëherë kur i mbaron afati certifikatës së vërtetuar me të, ose të anulohet, pezullohet nga ana e një Pale që e ka lëshuar, gjithsesi jo më tepër se 5 vjet nga data e lëshimit të tij.

7.       Kapaciteti të cilin mbajtësi i certifikatës është i autorizuar për të shërbyer në anije duhet të identifikohet në formë vërtetimi me të njëjtat terma me ato të përdorura në kërkesat e drejtimit të sigurt të bëra nga Administrata.

8.       Administratat mund të përdorin formate të ndryshme nga ai që jepet në seksionin A-I/2 të Kodit STCW, me kusht që minimumi, informacioni i kërkuar të jetë në germa romake ose arabe, duke marrë parasysh variacionet e lejuara sipas seksionit A-I/2.

9.       Mbi bazën e paragrafit 5 të rregullit I/10 çdo certifikatë që kërkohet nga Konventa të jetë në versionin origjinal në bordin e anijes ku shërben mbajtësi i saj.

Rregulli  I/6

Trajnimi dhe vlerësimi

Çdo Palë duhet të sigurohet që:

1.       trajnimi dhe vlerësimi për detarët, siç kërkohet nga Konventa, administrohet, mbikëqyret, regjistrohet dhe kontrollohet në përputhje me dispozitat e seksionit A-I/6 të Kodit STCW; dhe

2.       persona që merren me trajnimin dhe vlerësimin e detarëve, siç kërkohet nga Konventa, të jenë të kualifikuar në përputhje me dispozitat e seksionit A-I/6 të Kodit STCW për llojin dhe nivelin e trajnimit me të cilin merren.

Rregulli I/8 Cilësia e Standardeve

1.       Çdo Palë duhet të sigurohet që:

          1.1.    Në përputhje me parashikimet e seksionit A_I/8 të Kodit STCW, të gjitha trajnimet, vlerësimet e certifikatave, vërtetimet dhe aktivitetet e rivlerësimit të kryera nga agjenci joqeveritare ose ndërmarrje nën autoritetin e saj janë në mënyrë të vazhdueshme të monitoruara nëpërmjet sistemit të standardeve të cilësisë për të siguruar arritjen e objektivave përfundimtare, duke përfshirë ato që kanë të bëjë me kualifikimin dhe eksperiencën e instruktorëve dhe vlerësuesve;

          1.2.    Kur agjenci qeveritare ose institucione kryejnë aktivitete të tilla duhet të ketë një sistem standardi cilësie.

2.       Çdo Palë duhet gjithashtu të sigurohet që kryhet një vlerësim periodikisht në përputhje me parashikimet e seksionit A-I/8 të Kodit STCW nga persona të kualifikuar të cilët nuk janë të ngarkuar në punë në aktivitetet që kanë lidhje.

3.       Njoftimet në lidhje me vlerësimin e kërkuar nga paragrafi 2 duhet t'i bëhet Sekretari të Përgjithshëm.

Rregulli I / 14 Përgjegjësitë e Kompanive

1.       Çdo administratë në përputhje me parashikimet e seksionit A – I/14, do të mbajë përgjegjësitë e kompanisë për caktimin e detarëve për shërbim në anijet e tyre në përputhje me parashikimet e Konventës në fuqi, dhe do të kërkojë nga çdo kompani që të sigurojë se:

          1.1.    Çdo detar i caktuar në një nga anijet e saj do të mbajë një certifikatë përkatëse në përputhje me parashikimet e Konventës dhe siç është pranuar nga Administrata.

          1.2.    Që anijet e saj janë kompletuar në përputhje me kërkesat e ekuipazhit të sigurt të Administratës.

          1.3.    Që dokumentacioni dhe të dhënat përkatëse për të gjithë detarët e punësuar në anijet e saj janë mirëmbajtur dhe janë të lexueshme dhe përfshijnë dokumente dhe të dhëna për eksperiencën e tyre, trajnimin dhe gjendjen shëndetësore dhe aftësinë në detyrat e caktuara;

          1.4.    Që detarët me caktimin në një nga anijet e tyre janë familjarizuar me detyrat specifike dhe me të gjitha pajisjet, rregullat dhe aparaturat, procedurat dhe karakteristikat e anijes që në punën e tyre të përditshme dhe detyrat e emergjencës; dhe

          1.5.    Ekuipazhet e anijeve mund të koordinojnë me efektivitet aktivitetet e tyre në situatë emergjente dhe në kryerjen e funksioneve vitale për sigurinë ose mbrojtjen nga ndotja.

/e. a. & th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/