DURRËS, 24 tetor 2014 – Sikurse ka njoftuar paraprakisht “Dyrrah”-u, të enjten, më 23 tetor 2014, në drejtorinë e përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD) u zhvillua seminari mbi “Zhvillimin e sistemit intermodal shqiptar nëpërmjet portit të Durrësit, në zonën e Adriatikut”, organizuar nga Instituti shqiptar i Transportit në bashkëpunim me APD-në.
Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së z. Selim Belortaja, teksa ka falënderuar Institutin e Transportit që ka zgjedhur portin e Durrësit për organizimin e këtij eventi, tha, ndër të tjera:
“Kombinimi i shumë formave të transportit duhet të ketë si objektiv parësor rritjen e efikasitetit të shërbimit. Nuk ka intermodalitet pa harmonizimin e procedurave ndërmjet llojeve të ndryshme të transportit, përfshirë procedurat tarifore, doganore, qoftë kjo në nivel kombëtar, rajonal dhe më gjerë. Pra, përtej ndërveprimit ndërinstitucional që është gjysma e punës, pjesa tjetër është që aktivitete dhe projekte të tilla të sjellin ndikimin konkret në rritjen e efikasitetit për të gjitha llojet e transportit”.
Gjatë takimit aktorë të ndryshëm pjesëmarrës kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me zhvillimin e transportit multimodal në Shqipëri dhe rajon.
Në pjesën e dytë të konceptuar si “Dita e karrierës”, u prezantuan mundësitë e punësimit në sektorin detar në profilet profesionale në porte.
Studentët realizuan një vizitë në sektorë të ndryshëm të portit, duke u njohur me to nga afër.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





