Prezenca e OSBE në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, nisi sot një cikël prej gjashtë veprimtarishë ndërgjegjësuese për dënimet alternative ndaj burgimit. Në takimin e parë, që u zhvillua sot në Durrës, ishin të pranishëm kryetari i Prezencës së OSBE, ambasadori Florian Raunig, ministri i drejtësisë Ylli Manjani, prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa, si edhe kryetarë gjykatash, gjyqtarë e prokurorë nga rrethet gjyqësor të Durrësit, Kavajës dhe Elbasanit, si edhe nga Gjykata e Apelit e Durrësit.

"Futja në burg e shkelësve të ligjit nuk është e vetmja zgjidhje që i bën njerëzit të ndihen të sigurt. Aty ku është e përshtatshme, vënia në provë është më efikase se sa burgimi, pasi ajo ndërthur llogaridhënien me rehabilitimin me qëllim riintegrimin e suksesshëm në shoqëri të të dënuarve. Në fakt, heqja e lirisë duhet të jetë alternativa e fundit," – tha ambasadori Raunig

Numri i personave të dënuar me dënime alternative ka ardhur vazhdimisht në rritje, nga 705 në vitin 2009 në rreth 19 300 në vitin 2015. Prezenca e OSBE në Shqipëri e ka mbështetur për vite me radhë Ministrinë e Drejtësisë në ngritjen e Shërbimit të Provës, duke kontribuar për ta bërë këtë shërbim efikas.