· “Të jesh a të mos jesh i ndershëm”, versioni “shqiptar” i komedisë The Importance of Being Earnest (Sa e rëndësishme të jesh serioz / Ernest) të Oskar Uajlldit në teatrin bashkiak “Aleksandër Moisiu”
Durrës, 29 prill 2014 – Është treguar e guximshme regjisorja durrsake, tashmë me reputacion edhe në shkallë mbarëkombëtare, Driadë Dervishi, teksa solli në skenën e teatrit bashkiak “Aleksandër Moisiu” një farsë tejet të njohur britanike me një kalambur anglisht qysh në titull: The Importance of Being Earnest, A Trivial Comedy for Serious People (Sa e rëndësishme të jesh serioz / Ernest, komedi banale për njerëz seriozë) të autorit të famshëm irlandez Oskar Uajlld (Oscar Wilde,1854-1900).
Për arsye marketingu apo për t’ia përshtatur mjedisit të sotëm shqiptar, Dervishi e ka titulluar premierën e saj “Të jesh a të mos jesh i ndershëm”.
Sipas Gëzim Kabashit, regjisorja është kujdesur që shfaqja të përcjellë mesazhin e zvetënimit që rrezikon vazhdimisht një shoqëri, e cila mbështetet dhe mbështet hipokrizinë.
Megjithëse ka operuar me elementë të teatrit klasik edhe në përzgjedhjen e skenografisë, regjia ka nënvizuar ironinë deri në sarkazëm që përshkon veprën e mjeshtrit të fundshekullit të 19-të.
Komedia ka në qendër temën e identiteteve të ndërruara: të dy protagonistët kanë krijuar nga një emër të ri të rremë për t’u shpëtuar ligjeve morale të shoqërisë.
Grupi i aktorëve të rinj që interpretojnë rolet kryesore të shfaqjes ka shtuar një përvojë tjetër teatrore, duke krijuar figura interesante brenda kontekstit të veprës. Ervin Doko dhe Adelinë Muça, si dhe Marko Bitraku e Andia Xhunga në linjat paralele të dashurisë dhe të kërkimit të vetvetes mbeten në origjinalitetin e tyre aktorial, ndërsa marrëdhëniet mes personazheve shkaktojnë reagimin e shikuesve të shumtë që në dy mbrëmjet e para të premierës e kanë përcjellë shfaqjen me duartrokitje.
Personazhi i aktores Sanie Hoti nuk mundet dhe nuk përpiqet që ta ndryshojë veten në rrjedhën e ngjarjeve të veprës, ndërsa figura e saj mbetet e domosdoshme për të kuptuar thelbin e jetës sociale në kohën kur u shkrua vepra.
Mjaft interesante edhe loja e aktorëve Mimoza Marjanaku dhe Marsel Rupi, i cili krijoi dy personazhe brenda së njëjtës shfaqje.
Kostumet e punuara nga Keidi Seidiu dhe Lirë Koça, si dhe muzika e përzgjedhur nga Julian Shyti plotësuan më së miri shfaqjen e komedisë.
Info
Premiera u dha më 14 shkurt 1895 në teatrinSent Xhejms (St James's Theatre) në Londër, është komedi farsë, në të cilin protagonistët janë personazhe të sajuar për t’iu shmangur obligimeve të rënda sociale.
Duke punuar brenda konvencioneve shoqërore në fund të epokës së Londrës Viktoriane, temat kryesore të pjesës janë banaliteti ndaj institucioneve serioze si martesa, duke i satirizuar me mjete Viktoriane.
Të gjitha recensionet e kohës vlerësonin humorin e pjesës, edhe pse disa ishin të kujdesshëm në lidhje me mungesën e qartë të mesazheve sociale, ndërsa të tjerët parashikonin konsensus modern, gjë që ishte kulmi i rrugës artistike të Uajlldit deri atëherë.
Vepra u recensionuar shumë pozitivisht nga figura të tilla si nobelisti Bernard Shou (Shaw, 1856-1950, që e quajti “tejet zbavitëse” (extremely funny)"; H. G. Uells (Wells ,1866-1946): “nga komeditë më të freskëta (the freshest comedies)”; U. H. Oden (W. H. Auden, 1907-1973): “një opera e vërtetë me fjalë (a pure verbal opera)”.
Niveli i lartë i gjinisë si farsë dhe dialogu i mprehtë kontribuuan që The Importance of Being Earnest të ishte vazhdimisht pjesa më popullore e Uajlldit.
Nata e suksesshme e premierës shënoi kulmin e karrierës së Uajlldit, por gjithashtu shënoi dhe rrëzimin e tij.
Markezi i Kuinsberrit (Queensberry), bir i të cilit, lordi Alfred Dugllas (Douglas), ishte dashnor i Uajlldit, bëri plan të prezantonte shkrimtarin me një buqetë perimesh të kalbura dhe të prishte kështu shfaqjen.
Uajlldi u informua dhe Kuinsberrit iu refuzua hyrja.
Fill pas kësaj, armiqësia e tyre kulmoi në gjykatë, ku jeta e dyfishtë homoseksuale e Uajlldit iu zbulua publikut Viktorian dhe u dënua përfundimisht me burgim.
Fama që i solli pjesa, pavarësisht suksesit të hershëm, mori fund pas 86 shfaqjesh. Pas lirimit, botoi pjesën kur ishte në mërgim në Paris, por nuk shkroi më asnjë vepër komike ose dramatike.
Por frekuentimi i shfaqjes në vitin 1946 nga mbreti Xhorxhi VI (George VI, 1895-1952), shënoi ndërprerjen e “turpërimit” monarkik, që iu vu për një kohë të gjatë veprave të Uajlldit pas burgimit.
Titulli i komedisë është kalambur (lojë fjalësh): fjala Earnest (shqiptohet: ërnist), që në anglisht ka dhe kuptimin “serioz”, bashkëtingëllon me emrin Ernest, me të cilin paraqiten dy personazhe të farsës.
në këtë rast, të dy nuk janë njerëz seriozë.
Kjo ka bërë që përkthyesit në vende të ndryshme të hasnin vështirësi në interpretimin e titullit.
Mjafton të përmendet se në italisht ka disa versione: L'importanza di chiamarsi Ernesto, L'importanza di essere Franco, L'importanza di essere Fedele, L'importanza di essere Onesto;në frëngjisht: L'Importance d'être Constant; në gjermanisht: Ernst sein ist alles oder Bunbury; në spanjisht: La importancia de llamarse Ernesto etj.
Vepra bën pjesë në grupin e “komedive mondane”, që Uajldi shkroi në gjysmën e parë e viteve 1890 për shijet e njerëzve meskinë.
Gjuha e veprës është e mbushur me neologjizma të autorit.
Përveç versioneve të shumta “made-for-television”, është përshtatur për kinemanë anglishtfolëse, të paktën tri herë: së pari në 1952 nga Entoni Eskuith (Anthony Asquith), skenarist dhe regjisor; në vitin 1992 regjisori Kërt Bejker (Kurt Baker) në SHBA; Oliver Parker, regjisor anglez në vitin 2002, ku angazhoi aktorë të tillë të famshëm si Kolin Fërth (Colin Firth), Rupert Everett, Xhudi Denç (Judi Dench), Riz Uidhërspun (Reese Witherspoon), Frensis O’Konor (Frances O'Connor), Anna Mesi (Massey) dhe Tom Uillkinson (Wilkinson).
Në vitin 1963, Erik Çis’holm (Chisholm) kompozoi një opera, duke përdorur tekst e Ualljdit si libret. Versioni operistik i Xherlad Berrit (Gerald Barry), i porositur nga Los Angeles Philharmonic Orchestra dhe Barbican Centre London, u dha premierw në Los Anxhelos në vitin 2013. Premiera skenike u dha dhe nga Opéra national de Lorraine në Nansi (Nancy) të Francës në vitin 2013.
Fotoja kryesore: Premiera në teatrin bashkiak të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, nga Gëzim Kabashi.
Poshtë: 1. Posteri i filmit The Importance of Being Earnest (Sa e rëndësishme të jesh serioz / Ernest), prodhim i vitit 2002
2. Kuadër nga filmi: aktorët Rupert Everett dhe Riz Uidhërspun (Reese Witherspoon)
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





