12 nëntor 2015 – Një tjetër rast i trafikimit të drogës nëpërmjet portit të Durrësit është goditur nga sektori për narkotikët ditën e djeshme.

Policia njofton se është arrestuar në flagrancë Besnik Doçi, 28 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, pasi tentoi të kalojë 10 kg kanabis sativa të fshehur në kroskotin e makinës së tij.

“Më datë 11.11.2015, në vendin e quajtur vija e dytë në P.K.K. Porti Durrës, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip Ford me targa AA 298 KH, në brendësi të kroskotit dhe të parakolpit, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 pako të mbështjella me qese celofoni me peshë 10 kg lëndë narkotike kanabis sativa”, njofton policia e Durrësit.

Arrestimi i 28-vjeçarit u bë i mundur mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative nga blutë e Durrësit.

Materialet e këtij rasti do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë për veprën penale”Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë.

/S.L. portali DurresLajm/