Për të tretën herë, banorët e pallatit nr.7 në rrugën “3 vëllezërit Thanasi”, në zonën e plazhit kanë organizuar një protestë. Këtë herë para bashkisë Durrës nga e cila kërkojnë rikonstruksionin e pallatit të tyre me dëmtime DS3.

Kërkesa e bërë prej tyre në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës për pezullimin e punimeve të firmës së ndërtimit që po ngre një pallat ngjitur me të tyrin është hedhur poshtë nga gjyqësori.

Të pashpresë ata kërkojnë tani vetëm riparimin e pallatit.

“Sot kemi ardhur një pjesë e banorëve sepse një pjesë mesa duket iu kanë bërë presion institucionet ose firma nuk e di dhe janë tërhequr me justifikime të ndryshme. Kemi ardhur të protestojmë se gjykata dhe prokuroria na ka lënë në heshtje. Kishim dje vendimin që do të pezullonte vendimet e firmës, momentalisht do të bëhet dhe një rishqyrtimi i lejes. Zonja ka marr lekët mesa duket, nuk pinë ujë fare ato letra që ne kemi marrë nga të gjithë institucionet dhe tha që rrëzohet kërkesa juaj.”

“Nga bashkia kërkojmë që të vin dhe të shohin gjendjen e pallatit, të ndalojnë punimet e objektit që po ndërtohet aty.”,- shprehen banorët.

Prej disa javësh banorët e këtij pallati kanë organizuar protesta të vazhdueshme para prokurorisë Durrës dhe sheshit ku po realizohet ndërtimi i ri.