DURRËS, 10 prill 2014 –  Fundjava shënon fillimin e sezonit të ardhjes së 28 anijeve turistike në portin e Durrësit deri më 25 tetor, të shtunën bregëzohet një kroçierë luksoze amerikane.

Mësohet nga sajtet turistike botërore se të shtunën më 13 prill 2014, ora 8:00 paradite mbërrin nga Kotori i Malit të Zi dhe bregëzohet në kalatën 5 të portit të Durrësit kroçiera amerikane Seven Seas Mariner e një kompanie të Majamit (Florida) e regjistruar në Bahamas.

Anija turistike do të qëndrojë deri në orën 18:00, teksa udhëtarët do të bëjnë vizita në Durrës dhe Tiranë.

Punonjës të qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” të bashkisë së Durrësit po bëjnë pastrimin e amfiteatrit antik.

Në Durrës Seven Seas Mariner-i vjen ditën e gjashtë të një turi 11-ditor, në itinerarin: Itali, Kroaci, Greqi, Shqipëri (nisja nga Venecia, Itali, pastaj në Ravenna, Itali; Split, Kroaci; Dubrovnik, Kroaci; Kotor, Mali i Zi; Durrës (Tiranë), Shqipëri; Korfuz, Greqi; Taormina, Sorrento, Amalfi, Itali dhe mbërrin në Civitavecchia, Romë, shih hartën).

Po kjo kroçierë do të vijë sërish në Durrës më 22 prill, 15 korrik si dhe tri herë në shtator 2014, në datat 19, 27, 28.

Bëhet gjithashtu e ditur se për vitin 2014, nga 13 prilli deri më 25 tetor, portin e Durrësit do ta prekin 28 herë kroçierat, përfshirë Seven Seas Mariner, si dhe anijet Nautica, Insignia, Riviera, Prinsendam, Ocean Majesty, Marina, Seven Seas Voyager.

Kompanitë e udhëtimeve me kroçierë i bëjnë reklamë të madhe Durrësit, jo vetëm për pasuritë arkeologjike, por turistëve u propozohet të shkojnë në dyqanet me artikuj artizanati, lokalet me ushqim apo kafenetë etj., gjë që është një mundësi e mirë dhe për biznesin.

Info

Seven Seas Mariner është anije turistike e tipit cruise (italisht: crociera) në pronësi të kompanisë amerikane Regent Seven Seas Cruises, me seli në Florida. Në vitin 2002 mori çmimin “Anija e Vitit”. Porti i regjistrit: Bahamas, Nassau. Ndërtuar nga Chantiers de l'Atlantique në Sen-Nazer (Saint-Nazaire), Francë, në shërbim nga viti 2001. Ka këto karakteristika: tonazhi 48.075 tonë, gjatësia 216.1 m, gjerësia 28.3 m, 8 kuverta, shpejtësia 20 nyja (37 km /orë), kapaciteti 700 udhëtarë, ekuipazhi 445 veta.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/