Jo vetëm magjistrali kryesor rrugor Plepa-Rrogozhinë, nyja e vetme rrugore që lidh Tiranën me jugun e vendit, ka mjaft probleme me infrastrukturën. Ky segment përmbytet nga ujërat që mblidhen sa herë bie shi. Por akoma më keq është rruga dytësore Plepa – Golem, që përshkon zonën më të mbipopulluar nga turistët dhe me dendësinë më të madhe të njësive akomoduese.

Segmenti më i mbipopulluar me turistë të huaj e vendas siç është rruga dytësore është në errësirë të plotë, tërësisht e dëmtuar, ndërsa në disa pjesë e pakalueshme nga automjetet për shkak të gropave të hapura në të. Në këtë mënyrë, kjo rrugë në fillim të sezonit veror po bëhet shkak për aksidente të rënda rrugore, duke shkaktuar frikë tek pushuesit.

As rruga nacionale, autostrada Plepa-Kavajë, dhe as rruga dytësore që përshkon zonën bregdetare nuk ka ndriçim.

Në autostradë shtyllat janë vendosur në mes të rrugës, por nuk funksionojnë, ndërsa në rrugën dytësore nuk ka shtylla fare. Në këtë terr duhet të ecin me makina apo në këmbë pushuesit.

Ndonjë karburant aty pranë bën dritë deri disa metra larg, më pas errësirë totale…  

Në këtë magjistral janë ndërtuar mbikalime për këmbësorët. Por që këmbësorët të gjejnë mbikalimet në errësirë të plotë është histori më vete.

Në këtë segment, aksidentet kanë qenë të shumta dhe disa prej tzre kanë marrë jetë njerëzish. Errësira bëhet shkak si për aksidentet, ashtu edhe për vjedhjet e makinave apo dhomave të pushuesve në këtë zonë super të mbipopulluar. Janë dy njësi vendore, Bashkia Durrës dhe ajo Kavajë që kanë në menaxhim këtë zonë bregdetare, që laget nga deti Adriatik.

Apeli i pushuesve dhe banorëve është i njëjtë: Vendosni në punë shtyllat e ndriçimit në aksin rrugor, që ka përfunduar së ndërtuari plotësisht vite më parë.

Apeli i drejtohet strukturave shtetërore, atyre që duhet të mbajnë përgjegjësi për plotësimin e kushteve më minimale të lëvizjes në rrugë. Banorët e kësaj yone shprehen se ndjehen të tmerruar jo vetëm nga frika se mund të shtypen nga makinat, por mund të bien lehtë pre e hajdutëve dhe keqbërësve të ndryshëm.

Përfaqësuesit e shoqatave të turizmit kanë ngritur vazhdimisht disa problematika në drejtim të fluksit që krijohet në rrugën dytësore Plepa-Golem, problemit të ujërave të zeza në kanalin e Plepave, koshave, ndriçimit, sinjalistikës etj, problematika për të cilat nuk janë gjetur zgjidhje, pavarësisht se me industrinë e turizmit shteti përfiton miliona euro taksa çdo vit.

K.H.