DURRES, 6 maj 2013- Në prag të sezonit turistik, policia ka marrë një sërë masash, jo vetëm për garantimin e rendit e të sigurisë publike, por dhe për krijimin e lehtësirave të nevojshme për qytetarët që udhëtojnë për qëllime turistike. Pikërisht në këtë kuadër, Komisariati i Policisë Trafikut Rrugor Durrës ka përforcuar masat në drejtim të garantimit të fluiditetit në trafik, disiplinimit të tij, parandalimit të aksidenteve rrugore dhe sanksionimit të drejtuesve të mjeteve të cilët duke mos qenë të pajisur me dokumentacionin e domosdoshëm, bëhen shkas për aksidente apo incidente rrugore.Për këtë arsye, patrullimi në linja apo pikat fikse të kontrollit janë bërë më të shpeshta.
Nga kontrollet e ushtruara vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar administrativisht 340 drejtues mjetesh për shkelje të tilla të parashikuara në Kodin Rrugor si ecja me shpejtësi tej normave të lejuara, parakalimet e gabuara, parkimet e gabuara, mosvendosja e rripit të sigurimit apo kaskës në motocikleta, mosrespektimi i sinjalistikës, etj. Ndërkohë për shkelje më të rënda, në 15 raste shqyrtimi i këtyre shkeljeve do të kryehet nga Komisioni Administrativ pranë Drejtorisë Policisë Qarkut Durrës.
Gjithashtu, përgjatë fundjavës, në disa raste janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe shtetas të cilët gjatë kontrolleve rezultoi se drejtonin automjete pa qenë të pajisur me dëshmi aftësie për drejtimin e tyre. Në funksion të menaxhimit të trafikut dhe parandalimit të aksidenteve rrugore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Trafikut Rrugor ndërveprojnë më së miri edhe me shërbimet e Patrullës ë Përgjithshme.
/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





