DURRES– Nën masa të forta sigurie ka mbërritur në seancën e parë të procesit gjyqësor në ngarkim të tij, 80 vjeçari Shaban Norja. Tre muaj më parë i moshuari tronditi opinionin publik, kur u zbulua se ishte ai vrasësi dhe masakruesi i kufomës së 18-vjeçares Ajshe Vata, e cila ishte 3 muajshe shtatzënë. Norja është shfaqur i qetë dhe me jelek antiplumb në sallën e gjyqit.

Avokati mbrojtës Osman Dashi ka kërkuar gjykim të shkurtuar për vrasësin e Vatës, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Dashi ka deklaruar se Norja është thellësisht i penduar për krimin e kryer. Ndaj kërkesës së mbrojtjes nuk ka shfaqur kundërshtim as prokurori i çështjes Sokol Nishani, ndërkohë që trupi gjykues i kryesuar nga kreu i gjykatës Ervin Metalla është tërhequr për të shqyrtuar kërkesën e mbrojtjes.

Në përfundim togat e zeza kanë vendosur që seanca e radhës të zhvillohet mesditën e 24 janarit. Ndaj Norjes rëndon akuza e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe armëmbajtje pa leje. Ai rrezikon të dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, nëse gjykata e Durrësit nuk do të marrë parasysh kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar.

Në 11 tetor të vitit të kaluar, në një arë me misër u zbulua trupi pa kokë i 18 vjeçares Ajshe Vata. Norja dhe viktima kishin një lidhje dashurore, që zgjaste prej disa vitesh. Ai ka pranuar se ishte babai i fetusit tre muajsh, ndërkohë që pas arrestimit ka deklaruar se vajza nuk kishte pranuar të abortonte dhe i ishte lutur 3 ditë me rradhë për ta vrarë, sepse nuk përballonte dot turpin.