DURRËS, 23 dhjetor 2013 – Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë bën të ditur se një tjetër operacion policor me fokus zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të lokaleve të tregtisë u finalizua nga strukturat për hetimin e krimit në komisariatin e policisë Durrës, duke bërë të mundur identifikimin e autorësisë së të paktën tre rasteve të tilla. Operacioni i cili u kodua nisur nga mekanizimi i realizimit të vjedhjeve “Sharra e hekurit”, identifikoi si autor të dyshuar të vjedhjeve e çoi në arrestimin e Ervis T., 34 vjeç, banues në Durrës. Nëpërmjet përdorimit të një sharre hekuri, dyshohet të ketë realizuar vjedhjet në lagjen nr. 4 Durrës (20.000 lekë në agjencinë e këmbimit valutor në pronësi të shtetasit A. B.); në lagjen nr. 11 (8 500 lekësh në dyqanin e veshjeve në pronësi të shtetases Xh. N.); në lagjen nr. 11 më datë 11dhjetor 2013 në dyqanin  e këpucëve në pronësi të shtetases E. L. (130 000 lekë). Kurse më 22 dhjetor 2013, ora 20.00, u bë ndalimi i Bardhyl H., 24 vjeç, banues në Rrashbull. Dyshohet se është autor i vjedhjes së farmacisë me pronar G. L. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës së datës 11 dhjetor 2013. Për këtë vepër është shpallur në kërkim më datë 18 dhjetor 2013. Më date 21 dhjetor 2013 u identifikua si autor i dyshuar dhe filloi procedimi penal në mungesë për shtetasin Edmond P., 35 vjeç, banues në Durrës, sepse gjatë natës, në lagjen nr. 3 Durrës, dyshohet se ka vjedhur banesën e A. T., 40 vjeçe. Vijon puna për kapjen e tij.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/