DURRËS, 7 dhjetor 2014 – Me sa duket, Uashingtoni nuk ka “larë gojën” me 5 anijet e patrullimit të klasit “Archangel” që i ka dhuruar Shqipërisë (3 copë në vitin 2010 dhe 2 copë në vitin 2013), pasi në ditët e para të dhjetorit 2014 kanë kontrolluar gjendjen dhe si përdoren në luftën kundër terrorizmit, trafikantëve të armëve, qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike.
Komandën e Forcës Detare në Plepa e vizitoi një ekip amerikan i komandës evropiane të forcave të armatosura amerikane EUCOM (United States European Command), i përbërë nga kapiten i rangut II Richter L. Tipton dhe Roy P. Ackley, Jr., që u prit nga kapiten i rangut II Eduard Jeminaj. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me gjendjen, përdorimin dhe mirëmbajtjen e 5 mjeteve detare tip “Archangel”, dhuruar nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA për Forcën tonë Detare, në vitin 2010 dhe 2013, njoftoi zyra e shtypit në Plepa.
Ushtarakët e SHBA u njohën me nivelin profesional të ekuipazheve që i përdorin këto anije, trajnimet e tyre gjatë ndërrimit të detyrave dhe mundësitë e kualifikimit të tyre për të ardhmen si dhe vizituan anijet në flotiljen detare Pashaliman, ku panë konkretisht gjendjen e këtyre mjeteve detare dhe problematikën që lidhet me mirëmbajtjen dhe përgatitjen e ekuipazheve.
Info

“Archangel” ka një gjatësi 13 m, gjerësi 4 m, lartësi 3.8 m, peshkim nga 0.3 deri 0.8 m, peshë 9.5 tonë, shpejtësi deri në 44 milje, 2 motorë 500 kf Caterpilar, përballon deri në 6 ballë det dhe është e pajisur me aparaturat më moderne të kohës.
Sfond
Mbrëmjen e datës 9 tetor 2014 motoveliera “Lucky Star”, me port regjistrimi Nurberg, Gjermani, ngeci në cekëtinën e Currilave, rreth 1 milje nga pista e re.
Ajo vinte nga porti i Tivarit të Malit të Zi me drejtim portit të Durrësit. Menjëherë në ndihmë shkoi anija e gatshme e Forcës Detare “Archangel-04”, e cila mbasi bëri rimorkimin dhe për gjithë natën e solli “Lucky Star”-in në kalatën nr. 5 të portit të Durrësit në gjendje të mirë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





