Këto rrënoja që shihni janë gjithçka  ka mbetur nga shkolla nëntë vjeçare “Marie Kaçulini” në Durrës. Godina është shembur për t’i lënë vendin ndërtimit të shkollës së re me vlerë 860 milionë lekë nga buxheti i Bashkisë së Durrësit. Ndërtimi i godinës së re të shkollës nëntë vjeçare ndër më të mëdhatë në Durrës “Marie Kaçulini”, duhet të përfundojë sipas afateve të përcaktuara brenda 8 muajsh, çka do të thotë se shtatori i ardhshëm do t’i gjejë nxënësit me kushte më të mira.

Arben Peza drejtori i shkollës “Marie Kaçulini” në një komunkim me “Durrës Lajm”, pohoi se nxënësit pas nisjes së punimeve janë shpërndarë në dy shkolla, tek e mesmja e përgjithshme “Leonik Tomeo” po studiojnë fëmijët e klasave nga e para tek e pesta, ndërsa tek Shkolla e Mjeshtërisë Sportive “Bernardina Qeraxhia” po studiojnë nxënësit e klasave nga e gjashta tek e nënta. Në të dy shkollat fëmijët studiojnë në turnin e dytë”.

I pyetur për bazën materiale të kësaj shkolle Peza tha se bankat, dërrasat e zeza, tavolinat e gjithçka tjetër iu dhurua 17 shkollave të tjera nëntëvjeçare në Durrës e në zonat rurale, për të mos u dëmtuar. “

Sipas kontratës që është lidhur me bashkinë, firma ndërtuese duhet të dorëzojë në fund të muajit gusht shkollën e përfunduar. Godina është planifikuar të jetë 3 katëshe me opsion për ndërtimin e një kati shtesë në të ardhmen.

Nga 1050 metra katror që ishte godina e mëparshme e shkollës, është planifikuar që sipërfaqja e çdo kati të jetë 1550 metra katror.

Në godinë është parashikuar sistemi qendror me ngrohje, ndëtimi i një salle multifunksionale, i palestrës, laboratorëve të ndryshëm etj. Por sa do i respektojë firma afatet e mbylljes së punimeve që shtatori i ardhshëm t’i gjejë fëmijët në shkollën e re?

Drejtori Peza thotë se firma ka dhënë garanci për këtë. “Presidenti i firmës më tha që do të punënojnë me tre brigada me 60 punëtorë, që t’i përfudnojë punimet deri në fund të muajit shtator. Ne nuk kemi patur mundësi të hyjmë brenda kantierit dhe të shikojmë çfarë po bëhet, sepse nuk lejohet të hyjë askush për të parë se në çfarë faze janë punimet”,- pohoi Peza.   

Godina e shkollës “Marie Kaculini” është ndërtuar rreth viteve ‘60. Ajo ka qenë një prej shkollave me më shumë probleme në të gjithë Durrësin, si rezultat i amortizimit të saj. Në vitin 1970  shkolla quhej “Nako Spiro” dhe  ka filluar veprimtarinë teknikumi i fiskulturës me 43 nxënës. Një periudhë kohe ka shërbyer edhe si shkollë e mesme ekonomike pa shkëputje nga puna.

K.H.