DURRËS, 21 shkurt 2015 –  Shërbimi psikologjik në spitalin rajonal publik të Durrësit vjen tashmë i përforcuar. Pas ofrimit për vite me radhë, prej 6 muajsh ky shërbim shtrihet edhe te të sëmurët në stadin e fundit të jetës. Të gjithë këta pacientë, por edhe familjarët e tyre, përveç ndihmës mjekësore, marrin edhe asistencë të specializuar psikologjike për të përballuar sëmundjen. Shërbimi i psikologut është i shtrirë në disa pavijone të tjera në maternitet, pediatri apo urgjencë.

Pas lindjes së një fëmije çdo grua rrezikon të kalojë në një fazë depresioni. Ndaj këshillat për të përballuar ndryshimet pas ardhjes së fëmijës në jetë janë shumë të vlefshme. Trajtim të mirëfilltë klinik marrin të gjitha gratë që humbin fëmijën, abortojnë apo sjellin në jetë fëmijë përmes procesit in vitro. Edhe në rastet kur gruaja sjell në jetë një fëmijë me prapambetje apo me çrregullime në sjellje ajo ka nevojë për ndihmën e specialistëve për të përballuar rastin. Në urgjencë psikologët kanë një gamë të gjerë pacientësh ku asistojnë duke nisur nga rastet e vetëvrasjes, abuzimeve të llojeve të ndryshme, stresi post-traumatik para dhe pas daljes nga një ndërhyrje kirurgjikale etj.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/