DURRES, 3 tetor 2013 – Vetëm pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, një sherr me thika mes të rinjsh ka lënë të plagosur dy persona.
Dy nxënës kanë mbetur të plagosur paraditen e sotme në Durrës pas një sherri me disa të rinj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.00, jashtë rrethimit të Shkollës se Mesme “Naim Frashëri” në qytetin e Durrësit ndërsa të plagosur kanë mbetur dy 17-vjeçarë me iniciale E.K., i cili ka marrë goditje thike në shpatull dhe Xh.T. i cili ka marrë dëmtime në shpinë dhe në kokë.
Sipas policisë aktualisht gjendja e dy të dëmtuarve paraqitet jashtë rrezikut për jetën dhe ata po i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Ndërkohë policia e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje ka bërë të mundur arrestimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes, të cilët janë dy 18-vjeçarët G.S. dhe G. XH., të dy banues në lagjen numër 15 Spitallë.
Sipas policisë po vijon kryerja e veprimeve proceduriale në funksion të sqarimit të plotë të rrethanave dhe dokumentimit të kësaj ngjarje.
/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





