DURRES, 1 korrik 2013 – Një konflikt për pasagjerët e furgonave ka përfunduar me një të plagosur. 

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të pallatit të Sportit "Ramazan Njala", ku dy drejtues furgonash janë konfliktuar me njëri-tjetrin pas një sherri të çastit për pasagjerët.  

Në konflikt e sipër një nga drejtuesit e furgonave është goditur me mjete të ftohta, duke mbetur i plagosur lehtë në krah.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, të cilët fillimisht kanë nisur drejt spitalit të Durrësit të dëmtuarin e ngjarjes, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit, duke shpallur në kërkim autorin, i cili mësohet të jetë larguar menjëherë nga vendngjarja.

Konfliktet mes drejtuesve të furgonave në qytetin e Durrësit për pasagjerë kanë qenë të shumta, ku vetëm pak ditë më parë një tjetër drejtues mbeti i plagosur me armë zjarri.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/