Dy shtetas janë konfliktuar dhe të dy kanë përfunduar të plagosur në spital. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes, në një berberhane, në Lagjes 16 të Durrësit.
Gjasat janë që klientit të mos i ketë pëlqyer modeli i flokëve dhe është zënë me berberin, ndonëse kjo gjë duket shumë banale për një konflikt të tillë. Megjithatë, burimet zyrtare policore në Durrës bëjnë të ditur se motivet e konfliktit janë ende të panjohura.
Nga dihet deri në këto momente, shtetasi E. Z., 25 vjeç, banues në qytetin e Durrësit, ka goditur me thikë shtetasin E. Ç., 33 vjeç, i cili ishte duke punuar në berberhanen e tij. Ky i fundit e ka goditur shtetasin E. Z. me gërshërët që ka patur në dorë. Për pasojë, janë plagosur të dy shtetasit dhe momentalisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve, në Spitalin Rajonal të Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.





