Durrës, 29 prill 2014 – Shkaku i konfliktit të lindur mbrëmjen e së hënës në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit, në zonën e Kodër Vilës, sipas policisë, ishte një antenë e një kompanie të telefonisë mobile, e vendosur në taracën e njërit prej pallateve shumëkatëshe të ndërtuara në Kodër Vilë.

Mësohet se prej kohësh familjet Tosku dhe Lepuri ishin në konflikt të vazhdueshëm, pasi Mirash Lepuri, 41 vjeç kërkonte largimin e antenës nga pallati, sepse sipas tij, valët e lëshuara prej saj po i sëmurnin fëmijët. Të dy palët e përfshira në konflikt ishin nga Mirdita, por prej vitesh ishin vendosur në Durrës.

Kërkesa e Lepurit duket se nuk është marrë parasysh nga 52 vjeçari Pjetër Tosku, i cili këmbëngulte për mos zhvendosjen e saj. Palët kanë nisur të debatojnë sërish për këtë problem mbrëmjen e ditës së hënë, rreth orës 21.00, dhe në pamundësi për t’i kthyer mendjen fqinjit të tij. Lepuri ka shtënë me armë drejt 52 vjeçarit duke e lënë të plagosur.

Menjëherë pas plagosjes së fqinjit të tij, Mirash Lepuri ka tentuar të largohet për të mos u kapur nga policia. Por nuk ka mundur të shkojë më larg sesa zona e plazhit, pasi aty ai është ndalur nga një postbllok policie, që e ka arrestuar në flagrancë.

Ndërkohë mësohet se i plagosuri Pjetër Tosku vazhdon të jetë i shtruar në spital, por është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet për 41 vjeçarin Mirash Lepuri iu kaluan Prokurorisë Rrethit Durrës për veprën penale të  “Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/