Durrës, 12 prill 2014 – Dy konflikte për motive të dobëta janë regjistruar në harkun kohor të një ore në qytetin e Durrësit. Protagonistë të sherreve që kanë degjeneruar në konfrontime fizike kanë qenë dy të mitur të moshës 14 vjeç, si dhe dy të rinj nga Durrësi.

Në rastin e parë, dy adoleshentë 14 vjeçarë janë konfliktuar mes tyre për motive të dobëta. Ngjarja është regjistruar rreth orës 10.20 në lagjen nr.14, në zonën e Shkozetit. Gjatë konfrontimit fizik, 14 vjeçari K.Gj. ka goditur me sende të forta në kohë bashkëmoshatarin e tij, R.F., i cili ka marrë lëndime të lehta. Mësohet se ndaj adoleshentit K.Gj. policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë, me akuzën “Plagosje e lehtë me dashje”.

Për të njëjtën akuzë, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 29 vjeçarin S.L., nga Durrësi, i cili ka goditur me grushta pas një konflikti të çastit një 18 vjeçar. Nga burime policore mësohet se 18 vjeçari J.J. ka marrë dëmtime të lehta si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij nga 29 vjeçari S.L. Ngjarja është regjistruar rreth orës 09.00 në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/