· Sot: hapësirë e madhe, e copëzuar, kundrejt nevojës për funksione, që sot i kërkohet të ketë një shesh i madh bashkëkohor
· Për 365 ditë, kështu identitetet e shkuara do të kenë imazh të ri të një peizazhi të ri urban
· Hapësirë përfaqësimi funksional dhe simbolik i një shoqërie multikulturore, përveçse multifetare, ku shfaqen gjurmët e një të kaluare dhe të një të tashmeje të pasur e komplekse, shprehje e një bashkësie të ndryshme e të gjerë, si në stilet e jetës ashtu dhe në sjelljet individuale e kolektive
· Pozicionim i kryqëzimit të boshtit te hyrjes në port, zonës së bregdetit si dhe terminalit të autobusëve që do të rrisë impaktin socio-ekonomik
· Krijimi i “ekodistrikteve” ose “mikroklimave” me karakteristika të tilla si ngrohje dhe ftohje natyrore nëpërmjet vendosjes së gjelbërimit e infrastrukturës ujore (shatërvani në qendër të sheshit); reduktim i mbeturinave dhe ndotjeve të ajrit nga trafiku i automjeteve etj.
DURRËS, 30 qershor 2014 – Nëse procedurat do të jenë normale, në shtatorin e vitit 2015 do të shohim një fytyrë tjetër të sheshit qendror të qytetit nr. 2 të Shqipërisë, bashkia e Durrësit ka marrë nga Kryeministri Edi Rama një fond prej rreth një milion euro për fazën e dytë të rikualifikimit.
Bashkia e Durrësit ka njoftuar se më 18 korrik 2014 do të zhvillojë tenderin për fazën e dytë të punimeve të rikualifikimit të sheshit Liria.
Buxheti i shtetit ka hapur një fond limit prej 137 881 628 lekë (rreth 1 milion euro) dhe se gjithë investimi duhet të përfundojë në harkun e 365 ditëve.
Identitet antik me imazh të ri
Sipas qeverisë vendore, sheshi emblematik i qytetit antik 2300-vjeçar shfaqet sot si një hapësirë e madhe, e copëzuar, kundrejt nevojës për funksione, që sot i kërkohet të ketë një shesh i madh bashkëkohor.
Ky projekt do të rivlerësojë identitetet e shkuara përmes një imazhi të ri, të një peizazhi të ri urban (shih ilustrimet).
Riprojektimi i sheshit qendror – sheshi Liria – prej shumë kohësh një hapësirë, ku zhvillohet jeta publike, përbën një rast të favorshëm për konsolidimin e një procesi të nisur dhe destinuar për kualifikimin e një organizmi të tërë urban e metropolitan. Nëpërmjet këtij aktiviteti qyteti i Durrësit kërkon të komunikojë imazhin e një qyteti në lëvizje, aktiv.
Përfaqësimi funksional dhe simbolik
Kësaj teme i shtohet edhe ajo që rrjedh nga kushti i një sheshi që është pashmangshmërisht hapësirë përfaqësimi funksional dhe simbolik i një shoqërie multikulturore, përveçse multifetare, ku shfaqen gjurmët e një të kaluare dhe të një të tashmeje të pasur e komplekse, shprehje e një bashkësie të ndryshme e të gjerë, si në stilet e jetës ashtu dhe në sjelljet individuale e kolektive.
Ky projekt i jep kësaj hapësire rolin e rivendosjes së lidhjes mes pjesëve të ndryshme të qytetit, përmes rikuperimit të trajtave të kujtesës urbane, pa harruar të tashmen por duke e përqendruar vëmendjen në vendet që përbëjnë imazhin e aksit e të vetë qytetit.
Qëllimet
Synohet rivendosja e një lidhjeje të re me historinë urbane të Durrësit, duke ndërmarrë një vepër rivitalizimi dhe rikuperimi të trashëgimisë së madhe kulturore; rivlerësimi i sheshit nga një sipërfaqe parkimi masive në një spot të rëndësishëm urban; nxitja e qytetareve drejt një transporti të qëndrueshëm (kombinim i mirë i mënyrave të transportit publik me atë të biçikletave); shndërrimi i sheshit në një pol urban; pozicionimi i këtij sheshi në qendër të kryqëzimit të boshtit te hyrjes në port, zonës së bregdetit si dhe terminalit të autobuzëve do të rrisë impaktin socio-ekonomik.
Pritshmëritë pas zbatimit të projektit
Krijimi i rrjeteve aktive të qëndrueshme të transportit; krijimi i korridoreve multimodale të lëvizjes dhe përdorimit të atyre të përziera; integrimi i përdorimit të tokës dhe planifikimi i lëvizjes në mënyrë që të promovojë komunitetin e të zvogëlojë ndotjen e klimës; ndërtimi i infrastrukturës elektrike me ndriçim me konsum të ulët energjie (led) me ulje rreth 60 për qind të konsumit të energjisë nga llambat e përdorura në disa zona të tjera të qytetit; ndërtimi i infrastrukturës së gjelbër; krijimi i "ekodistrikteve" ose “mikroklimave” me karakteristika të tilla si ngrohje dhe ftohje natyrore nëpërmjet vendosjes së gjelbërimit e infrastrukturës ujore (shatërvani në qendër të sheshit); reduktim i mbeturinave dhe ndotjeve të ajrit nga trafiku i automjeteve etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





