Në prag të nisjes së sezonit turistik masat e marra nga bashkia e Durrësit në të vetmen shëtitore bregdetare mungojnë. Kjo pranverë përkon me nisjen e fushatës zgjedhore të 30 Qershorit dhe duket që vëmendja e pushtetit lokal është përqëndruar me shumë tek përgatitjet për fushatë se sa tek punët që kanë interes për të gjithë qytetin. Zyrtarisht motorët e fushatës nuk janë ndezur në publik, por as masat për sezonin turistik nuk shikohen nga asnjë qytetar.
Dimri i këtij viti u tërhoq duke i lënë vendin stinës së ngrohtë. Por ky dimër, i cili pati stuhi e fortunale ka lënë pas dëme të konsiderueshme në infrastukturë, për të cilat bashkia duhet të nisë shpejt ndërhyrjen. Të dëmtuar kanë mbetur shumë akse rrugore, por edhe shëtitorja buzë detit. E shumë frekuentuara shëtitorja “Taulantia” është në gjendjen më të keqe të saj për shkak të leshterikëve e mbetjeve urbane, të cilat deti i ka lënë në të gjithë gjatësinë e saj. Pjesa e ndërtuar prej druri është dëmtuar nga dallgët dhe askush s’ka menduar për riparimin e saj. Pamjet e marra nga operatori i DurrësLajm dëshmojnë më së miri gjendjen e rënduar të shëtitores.
Leshterikët ia kanë bllokuar frymëmarrjen këtij bregdeti duke filluar nga ky shesh e duke përfunduar deri në grykëderdhjen e lumit të Ishmit, në pjesën më veriore të rrethit të Durrësit. Ndërkohë në shëtitore, dallgët kanë prishur muret mbajtëse, por edhe një sipërfaqe të madhe të dekoruar me dërrasa, ku qëndonin të rriturit e luanin fëmijët. Përveç dërrasave në llumnajën e një bregu të ndotur bie në sy edhe thyerja e një blloku çimentoje.
Bashkia duhet të nisë ndërhyrjen sa më parë, sepse koha e nxehtë i sjell pushuesit në derë dhe një pamje e tillë nuk i pëlqen askujt jo vetëm ta shohë, por të jetë pjesë e saj sikur edhe në një shëtitje rutinë.
K.H.





