Shpërthimet e forta të komanduara, të regjistruara rreth orës 16.30, shembën muret e brendshme të pallatit 13 katësh në lagjen nr.17 në Durrës. 

Me një interval kohor prej disa sekondash u dëgjuan njëra pas tjetrës shpërthimet, të cilat nisën nga kati i fundit për të përfunduar në kat të parë. Kjo ishte një praktikë e re, pasi më parë pallatet në Durrës janë shembur me eksploziv apo mjete të rënda brenda ditës.

Në pamjet filmike që sjell operatori i DurrësLajm duken qartë retë e tymit që ngrihet në ajër pas çdo shpërthimi.

Megjithëse bashkia e Durrësit pati njoftuar dy ditë me radhë për shpërthimin e kontrolluar, shumë qytetarë u trembën nga shpërthimet e forta.

IKMT ende nuk ka dalë me një deklaratë për të njoftuar nëse shpërthimi i mureve të brendshme do ta lehtësojë tashmë shembjen e gjithë pallatit që pritet të kryhet pas dy javësh. Ndërkohë Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka publikuar pamjet të marra me dron nga shembja e godinës shumëkatëshe (video e dytë).