Paraditen e sotme, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi E. D.,36 vjeç, banues në Shijak. Siç njoftoi “DurrësLajm” më herët, ngjarja ka ndodhur në një biznes pjesësh këmbimi në Xhafzotaj. I plagosuri është ne spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar shtetasit A. H., 30 vjeç, banues në Durrës dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Nga pamjet filmike që sjell operatori Denis Simaku nga vendngjarja, duken qartë shenjat e plumbave në vetratën e biznesit dhe në një autobus të parkuar në anë të rrugës.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.