DURRËS, 2 dhjetor 2014 – Kanë mjaftuar 60 minuta reshje shumë të forta që Durrësi të përjetojë si zakonisht përmbytjet e rrugëve nga ujërat që vijnë nga kodrat, ku kanali i ujërave të larta është i bllokuar nga ndërtimet pa leje mbi të.
Pikat më të mbingarkuara ishin para stacionit hekurudhor të udhëtarëve, kishës ortodokse, në lagjet 1,4 18, rotonda te sigurimet shoqërore.
Prefekti i qarkut të Durrës-Krujës z. Rolant Xhelilaj, cili rreth orës 15:00 sapo ishte kthyer nga një inspektim, tha se situata është normalizuar pas pushimit të shirave, ka pasur përmbytje të lehta në fushat e Bubqit (Krujë) dhe tek-tuk në zonat fushore të rrethit të Durrësit.
Z. Xhelilaj tha se hidrovorët kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe nuk ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike të elektropompave. Kufizim dyorësh të dritave ka pasur në disa zona të qytetit për shkak të punimeve në nënstacionin e Shkozetit, por që nuk u lejua të zgjerohej hapësira e paralajmëruar e heqjes së korrentit, kjo për shkak të motit të keq.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





