Durrës, 8 maj 2014 – Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Durrësit, në kuadër të operacionit “KLIENTI”, ka sekuestruar në një banesë në qytetin e Shijakut, disa mjete moderne që përdoreshin për falsifikim dokumentesh.
Në prangat e policisë kanë përfunduar shtetasit Muhamet dhe Alvaro Strefi, përkatësisht 56 dhe 27 vjeç, nga Shijaku. Rezulton se 27 vjeçari ka qenë i dënuar më parë për vepra të tjera penale.
Në shtëpinë e at e bir, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 8 vula te ndryshme, që i përkisnin drejtorive të transportit dhe kontrollit të automjeteve në qytetin bregdetar si dhe disa vula të komunave të disa qyteteve italiane.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar gjithashtu një sasi të konsiderueshme dokumentesh të falsifikuara, si: polica sigurimi, çertifikata pronësie italiane si dhe prokura të posaçme, leje drejtimi automjetesh shqiptare, leje drejtimi italiane, karta identiteti italiane, leje qëndrimi greke, dokumenta të kontrollit teknik të automjeteve, leje qarkullimi ndërkombëtare, dokumenta të kontrollit teknik të automjeteve të shtetit anglez si dhe dokumenta të tjera të Drejtorisë Rajonale të Shfrytëzimit të Transportit Rrugor Durrës.
Hetimet lidhur me këtë bazë të falsifikimit të dokumentave, zhvilloheshin që prej 4 muajsh, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës.
Muhamet dhe Alvaro Strefi akuzohen për veprat penale të “Prodhimit të mjeteve për falsifikim të dokumentave”, “Falsifikimit të dokumentave”, “Falsifikimit të dokumentave shkollore”, “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave” si dhe “Falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve” parashikuar nga nenet 186, 187, 189, 190 dhe 192 të Kodit Penal Shqiptar.
Vulat e sekuestruara gjatë operacionit policor “Klienti”:
–Vule noteriale italiane me qender ne Milano.
-Vule komune Milano/Itali.
-Vule komune Monza/Itali.
-Vule avokatie Italiane.
-Vule e Drejtorise Rajonale e Shfrytezimit të Automjeteve në Durrës.
-Vule e Kontrollit Teknik Durrës.
-Vule noterie shqiptare.
-Vule për lëshimin e mandat-pagesave të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Durrës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





