DURRES, 11 maj 2013-  Në këtë prag sezoni turistik, shëtitorja e plazhit tradicional të Durrësit e ndërtuar në vitin 2005 përgjatë vijës bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, është shkatërruar plotësisht. Shëtitorja  bregdetare e cila u projektua enkas për të vendosur një kufi ndarës midis ndërtimeve dhe zonës së rërës, nuk e kryen funksionin e saj prej vitesh.

Pak nga pak shëtitorja nisi të zhvendoset në drejtim të detit,  kjo për shkak të dëmtimeve të shumta  që janë bërë nga biznese të ndryshme në të gjithë  gjatësinë e saj. Në drejtim të çdo lokali është  krijuar një vend për të hyrë dhe dalë frekuentuesit, ndërsa brezi i rërës rërës përgjatë vijës bregdetare çdo ditë e më shumë po ngushtohet  nga ndërtimet dhe ndërhyrjet e paligjshme.

Problemi është konstatuar kohë më parë, por nga ana e pushtetit vendor nuk ka patur asnjë lëvizje konkrete, duke mos ndërmarrë ndonjë iniciative për rehabilitimit e saj. Banorët e plazhit shprehen të indinjuar përballë kësaj situate, e cila sipas tyre po shkatërron plazhin e Durrësit.

Ndërkaq në të gjithë gjatësinë e saj, shëtitorja ka mbetur e pandriçuar për shkak të grabitjeve si dhe thyerjeve të dritave në shtyllat dekorative. Në këtë pjesë të bregdetit veç të tjera,  nuk ka asnjë lulishte apo park lojërash për grupmosha të ndryshme.

/e.a. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/