Durrës, 22 prill 2014 – Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar punonjësin e policisë Artan Telha, 42 vjeç, me detyrë Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës. Prangosja e Artan Telhës dhe e shtetasit Klodian Novaku u bë në kuadër të operacionit "Ndalimi".

K/Inspektor Artan Telha, lindur në Pukë dhe banues në Durrës, është arrestuar me akuzën e "Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike". 

Mësohet se efektivi i policisë ka ndihmuar shtetasin Klodjan Novaku, të kalojë nga Shqipëria për në Itali, bashkë me shtetasen Adile Shabani, kundrejt shpërblimit në të holla. Novaku po e trafikonte vajzën e re drejt Italisë me qëllim që ta përdorte si prostitutë në vendin fqinjë.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se “Në datë 22.04.2014, ora 05:00, nga strukturat e sektorit të SHKB-së Elbasan, në bashkëpunim me Sektorin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në DPQ Elbasan, është arrestuar në flagrancë punonjësi i policisë, me detyrë Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, K/Inspektor Artan Telha, 42 vjeç, lindur në fshatin Iballë të rrethit Pukë dhe banues në Durrës. Arrestimi i tij në flagrancë është bërë për kryerjen e elementëve të veprës penale të "korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike", parashikuar nga neni 259 i KP, pasi më datë 21.04.2014 ka ndihmuar shtetasin Klodjan Novaku, të kalojë nga Shqipëria për në Itali, së bashku me shtetasin A.Sh., kundrejt shpërblimit në të holla.” 

Mësohet se fillimi i hetimeve për këtë çështje ka nisur pas kallëzimit të shtetasit R.Shabani, i ati i shtetases Adile Shabani, i cili ka denoncuar në polici se e bija e tij është marrë me anë të mashtrimit me qëllim trafikimin e saj për prostitucion nga shtetasi Klodjan Novaku. 

“Gjatë kontrollit të banesës së Klodian Novakut është sekuestruar një armë pistoletë e tipit Zastava, një shumë të hollash prej 670 Euro, një telefon i markës Nokia, pasaportë dhe kartë identiteti dhe 2 bileta udhëtimi në emër të Klodjan Novaku dhe Adile Shabani, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale."- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/