Në 65-vjetorin e themelimit të saj, shkolla artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës do të ketë gati historikun e saj.

E vetmja shkollë artistike në Durrës, që ka nxjerrë për dekada me radhë shumë emra të njohur dhe personalitete në fushën e artit së shpejti do të ketë të përmbledhur në një libër të gjithë historikun e saj.

Për këtë shkak, në ambientet e shkollës “Jan Kukuzeli” u organizua një takim me ish-nxënës, pedagogë dhe ish-pedagogë me qëllim ngritjen e grupit të punës që do të merret me përgatitjen e librit.

Drejtori Dashamir Mehmeti sqaron për “DurrësLajm” se ky proces pritet të mbyllet së shpejti dhe 65-vjetori i shkollës mund të jetë momenti më i përshtatshëm për prezantimin e historikut të plotë të të vetmit institucion arsimor artistik në qytetin bregdetar.